Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, në News24, u trajtua historia e dhimbshme e nënës 42-vjeçare nga Lezha, Kujtime Seferi. Ajo është një nënë e vetme, e cila me shumë sakrifica po rrit 3 fëmijë. Djali 9 vjeç është me autizëm dhe tërmetin e ka përjetuar shumë keq.

Prej ditës së diel, 42-vjeçarja nga Lezha së bashku me familjen dhe të tjerë bashkëvuajtës janë strehuar në Golem, në hotel Harmonia. Kujtime jeton në kushte të vështira ekonomike dhe me qira. Në një lidhje direkte për emisionin “Me Zemër të Hapur”, nëna e vetme rrëfeu jetesën e vështirë ekonomike. Ajo thotë se nuk punon dot, pasi duhet të kujdeset për djalin autik.

Kjo nënë e vuajtur nuk ka pasur dot as mbështetjen e burrit, pasi është i paaftë për punë. Para katër vitesh bashkëshorti kishte pësuar një aksident automobilistk, duke i lënë pasoja fizike dhe psikologjike. Kujtime thotë se martesa 13-vjeçare kishte përfunduar në divorc, për shkak të kushteve ekonomike.

Pas aksidentit, babai i 3 fëmijëve endet rrugëve dhe fle poshtë urave, ndërsa nëna 42-vjeçare ka jetuar me qira në Durrës. Në një rrëfim për gazetaren Dorjana Bezat, dhe përballë autores së emisionit “Me Zemër të Hapur”, Evis Ahmeti, ajo rrëfeu momentet e tërmetit dhe jetesën e vështirë. Sot ajo nuk di ku të shkojë, është në qiell të hapur dhe e pashpresë.

“Mora disa rroba të fëmijëve dhe jam larguar nga banesa. Më duhet të ruaj fëmijët. Jam pa të nesërme. Të vetmen të ardhur është ndihma ekonomike e djalit”, thotë ajo.

Rrëfimi
Çfare ndodhi me banesën tënde?
Kujtime Seferi: Ajo u prish, u shemb, ishin të tre fëmijët brenda, nuk dija si do dilnim jashtë
Si i nxorët fëmijët e vetme jashtë?
Seferi: Më ndihmuan fqinjët
A Pësuan gjë fëmijët?
Seferi: Jo jo
A flet djali? si ja shpjeguat atë që po ndodhte?
Seferi: Jo jo sa i flet, ai largohet nuk dëgjon
Çfarë apeli ke sot?
Seferi: Dua strehim që fëmijët të mos ngelen rrugëve. Ku të shkojmë?

Prej sa vitesh je e divorcuar zonje?
Seferi: Ai ishte i martuar me një tjetër para meje. Unë kam bashkëjetuar, nuk kam pasur martesë ligjore të bëja divorc me të.
Sa kohë keni që jeni ndarë me të?
Seferi: 3 vite
Ku ndodhet aktualisht zotëria? Unë di që ai është endacak dhe fle poshtë urave
Seferi: Po rrugëve rri ai, jashtë.
A është interesuar ai për fëmijët e tij?
Seferi: Po është interesuar, po s’ka ku t’i çojë ai fëmijët, në rrugë është dhe vetë.
Pse nuk i jeni drejtuar gjykatës që të merrnin pensionin për fëmijët prej tij?
Seferi: Ai s’ka asnjë mundësi, s’ka çfarë të japë.

Pse vendosët të rrini veçmas? Pse nuk e merrni dhe babain e fëmijëve aty?
Seferi: Nuk kemi ku të rrimë këtu.
Cila ka qenë arsyeja e divorcit, vetëm aksidenti i tij?
Seferi: Ekonomia e dobët ka qenë dhe njerëzit që s’donin.
A i keni pranë njerëzit tuaj? Janë interesuar ata për ju?
Seferi: Në telefon më kanë marrë po ata kanë hallet e veta.

Këto ditë që jeni në hotel si ka qenë gjendja e djalit autik?
Seferi: Djalin e kanë marrë specialistët e kanë çuar të luajë te lodrat.
I keni bërë më parë terapi?
Seferi: Terapitë janë me lekë, unë s’kam mundësi të paguaj.
Dorjana Bezat: Unë kam një dokument ku lexon se djali i zonjës është me prapambetje mendore i shkallës së lartë dhe çrregullime të vëmendjes
Evis Ahmeti: Ka qendra thotë psikologia në studio që mund të ofrojnë terapi falas për djalin. Do ta çosh?
Seferi: Pasi të gjej një strehim do ta çoj, se tani s’kam si ta çoj.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb