Vlera e rublës ruse ka rënë në nivelin më të ulët që nga javët e para të luftës në Ukrainë, ndërsa Moska vazhdon të rrisë shpenzimet ushtarake dhe po vuan nga pasojat ekonomike të sanksioneve perëndimore.

Për të mbrojtur monedhën e vendit, banka qendrore e Rusisë të martën rriti normat e interesit me 3.5 për qind, një vendim që e çoi në 12 për qind normën e interesit në Rusi.

Eksperti britanik Timothy Ash thotë për Zërin e Amerikës se zhvlerësimi i rublës dhe sfidat e tjera të ekonomisë ruse janë pasojë e luftës në Ukrainë dhe sanksioneve perëndimore, të cilat më në fund po japin rezultate.

Banka Qendrore e Rusisë mori vendim për të rritur me 3.5 për qind normën e interesit, një lëvizje që synon të luftojë inflacionin dhe të forcojë rublën pasi të hënën ajo ra në nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Vlera e monedhës ruse ka rënë afërsisht 30 për qind që nga fillimi i vitit. Të hënën një dollar amerikan shkëmbehej me mbi 101 rubla ruse. Pas vendimit për rritjen e normave të interesit, rubla shënoi një përmirësim të lehtë kundrejt dollarit në kursin e këmbimit të valutave.Ekonomisti Timothy Ash thotë se lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore kanë filluar të ndikojnë në ekonominë ruse, duke përfshirë valutën e saj, rublën.

“Çmimi tavan prej 60 dollarësh për fuçi, i vendosur nga vendet perëndimore për naftën ruse më në fund po fillon të sjellë pasoja. Rusia ka humbur rreth 50 miliardë dollarë në vit nga eksportet e gazit natyror në Evropë. Në sektorin e eksportit ka patur një rënie shumë të madhe, ndërsa për importet Rusia tani po paguan më shumë për shkak të sanksioneve”,tha ai për Zërin e Amerikës.

Këshilltari ekonomik i presidentit Vladimir Putin, Maksim Oreshkin, tha të hënën për agjencinë shtetërore të lajmeve Tass se dobësimi i rublës ishte pasojë e “politikave jo të mira monetare”, duke shtuar se banka qendrore i ka “të gjitha mjetet e nevojshme” për të stabilizuar situatën dhe se ai pret normalizim të shpejt të monedhës.

Por ekonomisti britanik Timothy Ash thekson se nuk ka një zgjidhje të lehtë për çështjet e zhvlerësimit të rublës dhe inflacionit.

“Rritja e normave të interesit nënkupton rritje më të vogël ekonomike. Kjo është një zgjedhje mes rritjes ekonomike dhe rritjes së inflacionit. Nuk ka zgjidhje të lehta për zyrtarët rusë të politikave ekonomike. Ata janë në një situatë të vështirë. Gjendja do të përkeqësohet me vazhdimin e luftës. Ata do të duhet të zgjedhin mes shpenzimeve për ushtrinë dhe atyre për shërbimet sociale. Nëse shpenzohet me shumë për ushtrinë, atëherë më pak mbetet për shërbimet sociale. Në fund, konsumatorët rusë do të vuajnë nga kjo”,thotë ai.

Qytetarët rusë tashmë janë të shqetësuar nga paqëndrueshmëria ekonomike dhe luhatjet drastike të rublës.

“Paqëndrueshmëria e monedhës kombëtare do të ketë një ndikim negativ në jetën e njerëzve. Ka shumë të ngjarë që kjo të prekë qytetarët e zakonshëm, sepse zhvlerësimi i saj do të pasohet nga një rritje e çmimeve të pothuajse të gjitha gjërave. Do të presim dhe do të shohim se çka do të ndodhë”, thotë veterinerja Dina Solovyova.

“Çmimet do të rriten, që do të thotë se standardi i jetesës do të shënojë rënie. Standardi i jetesës tashmë ka rënë, por kjo rënie do të vazhdojë. Ka gjithnjë e më shumë njerëz të varfër, kjo është e sigurt”, thotë Vladimir Bessosedniy, i cili ka punuar si mësues para daljes në pension.

Banka qendrore thotë se kërkesat kanë tejkaluar aftësinë e vendit për të zgjeruar prodhimin ekonomik, duke rritur inflacionin dhe duke ndikuar “dinamikën e kursit të këmbimit të rublës nga rritja e kërkesave të importit”.

Duke rritur kostot e huamarrjes, banka qendrore ruse po përpiqet të luftojë rritjen e çmimeve sepse Rusia importon më shumë dhe eksporton më pak, veçanërisht naftë dhe gaz natyror, ndërsa shpenzimet e mbrojtjes vazhdojnë të rriten dhe sanksionet po dëmtojnë ekonominë e vendit. Zakonisht niveli më i madh i importit të mallrave krahasuar me eksportet e tyre ndikon negativisht në valutën e një vendi.

“Asnjë vend nuk dëshiron të ketë monedhë të dobët. Valuta e dobët tregon dobësi. Kjo tregon se ekonomia nuk është në gjendje të mirë, se ka probleme. Zhvlerësimi i monedhës së një vendi frenon rritjen ekonomike dhe shkakton rritjen e inflacionit”, thotë ekonomisti Timothy Ash.

Sipas Bankës Qendrore të Rusisë, inflacioni arriti në 7.6 për qind gjatë tre muajve të fundit.

Në shkurt të vitit 2022, menjëherë pas sanksioneve të vendeve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, rubla ra ndjeshëm, deri në nivelin 130 me 1 kundrejt dollarit, por banka qendrore ruse rriti normën bazë të interesit deri në 20 për qind në ditët pasuese dhe vendosi kontrolle mbi kapitalin që stabilizuan vlerën e rublës./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb