Nga OLSI ÇALA*

BUTRINT – Emisioni investigativ “Kaktus” denoncon 4 raste të reja abuzimesh me ligjin. Prerjen e pemëve pa kriter në vendin tonë, prerje që ka prekur edhe Parkun Kombëtar të Butrintit. Edhe pse i shpallur “Qytet muze” dhe i mbrojtur nga UNESCO, Butrinti nuk i reziston dot sopatës dhe motosharrave, që çdo ditë rrëzojnë në tokë nga një pemë. Turistët të cilët shkoj aty, përballen me pamje të papara.

Një qytetare ka denoncuar në emisionin “Kaktus” prerjen e pemëve dhe rrëzimin e qytetit antik. Në mes të ditës kur është dhe piku i vizitave nga turistët, aty dëgjon zhurmat e motosharrave dhe sopatës që oshetijnë mes pyllit mahnitës dhe në vend që të shohin muzeun, përpara na dalin stivat me dru.

Gazetari Olsi Çala ka improvizuar situatën: Me një sopatë në dorë tenton të hyjë në Butrint dhe të presë pemë, por nuk lejohet nga sportelisti dhe roja, pasi duhet të marrë leje nga Drejtoria dhe Ministria!

Sportelisti shprehet se nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh që në Butrint të priten pemët, por Kaktus i ka të vërtetuara me zë dhe figurë faktet që aty priten pemë. Ish-Drejtori i Parkut të Butrintit, Auron Tare që tani mban detyrën e Drejtorit të Agjensisë së Bregdetit shprehet se edhe në kohën e Enver Hoxhës priteshin pemë, por kjo ndodhte me procesverbal. Sipas Tares, prerja e pemëve nuk duhet të ndodhë në një park si Butrinti, i cili ka vlera të veçanta. Edhe pse Kaktus e denoncon si rast, i bën thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Drejtorisë së Parkut të Butrinit që të marrin masa ndaj abuzuesve për të mbrojtur Butrintin, një ndër krenaritë kombëtare.

Butrinti u shpall “Qytet Muze” në qershor të vitit 1961. Ai është vlerësuar edhe si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Butrinti konsiderohet edhe si peisazh Homerik, pasi aty gjen rrënjët e antikitetit dhe së bashku me to edhe pemët, ujin, florën dhe faunën, por sot çfarë nuk ndodh me këtë pasuri kulturore, ku pemët priten pa kriter dhe përdoren për ngrohje.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: