Incidentet e rënda të ndodhura dje në Belgjikë, ku ndeshja mes kombëtares vendase dhe asaj suedeze u ndërpre në mes pas një akti terrorist në Bruksel, ku mbetën të vrarë dy tifozë të kombëtares mike, kanë shtuar frikën në Francë.

Kombëtarja vendase do të luajë sot në mbrëmje ndaj Skocisë. Sfida do të luhet në Lille, ku janë shtuar ndjeshëm kontrollet e sigurisë. Kontrolle e patrulla edhe në kufirin mes Francës dhe Belgjikës, pasi Lille është rreth 30 kilometra larg kufirit. Gjithsesi, prej së pretmes Franca është në alarm maksimal, pasi një 20-vjeçar islamist vrau një mësues në shkollë.

Edhe pse kjo ndeshje nuk paraqet rrezikshmëri për sa u përket tifozërive, frika nga aktet terroriste ka bërë që e gjithë policia vendase të ngrihet në këmbë. Kontrollet në stadium dhe zonat përreth tij janë shtuar ndjeshëm orët e fundit, ndërkohë që Ministri i Brendshëm Francez konfirmoi se janë dyfishuar rojet në kufi dhe stadium.

“Në Lille kemi dërguar 3 nga 6 njësitë lëvizëse të agjentëve specialë. Kemi mobilizuar edhe repartet speciale të ndërhyrjes së shpejtë”, tha Gerald Darmanin, Ministri i Brendshëm Francez. Ndeshja do të luhet sot në orën 20:45.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: