Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme ajrore të enjten. Ky sulm vjen një ditë pasi Kievi tha se fundosi një tjetër anije luftarake ruse në brigjet e Krimesë. Nga kjo përplasje 7 persona u plagosën dhe objektet e infrastrukturës u dëmtuan. Më pas, autoritetet ruse thanë se 5 persona u vranë dhe 18 u plagosën, në një sulm me raketa në qytetin rus të Belgorod. Guvernatori rajonal Vyacheselv Gladkov bëri me dije se shtatë shtëpi u dëmtuan. Qyteti, i cili ndodhet pranë kufirit me Ukrainën verilindore, ka qenë një pikë e nxehtë e luftës së Rusisë, pasi Kievi kërkon ta sjellë konfliktin në shtëpi te populli rus në një përpjekje për të dëmtuar mbështetjen e brendshme për pushtimin e vendit të tyre.

Sulmet e fundit pasuan dëmtimin e anijes zbarkuese ruse Caesar Kunikov, e cila u sulmua me dronët “MAGURA” V5 që depërtuan në anën e saj të majtë përpara se të fundosej, tha agjencia e inteligjencës ushtarake.
Në Zaporizhzhia, sekretari i këshillit të qytetit, Anatolii Kurtiev, u shpreh se të paktën katër persona ishin plagosur dhe një objekt i infrastrukturës ishte dëmtuar. “Aktualisht dihet gjithashtu se janë dëmtuar banesa, një institucion arsimor dhe objekte të një objekti tregtar,” tha ai.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Lviv, Maksym Kozytskyi, tha se sulmet kishin rënë në qytet duke plagosur të paktën tre persona dhe duke shkaktuar dëme në ndërtesa. “U dokumentua një goditje në një objekt të infrastrukturës në Lviv. Zjarri vazhdon”, tha ai, duke shtuar, “në 16 ndërtesa banimi në rrugën “Naukova”, nga vala e shpërthimit u hodhën një pjesë të xhamave, u dëmtuan makinat e parkuara aty pranë”. Në Kiev, administrata ushtarake e qytetit tha se raketat i ishin afruar qytetit nga shumë drejtime, por se nuk ishin raportuar dëme të konsiderueshme ose vdekje. “Alarmi për sulm ajror në kryeqytet zgjati më shumë se 2 orë. Të gjitha raketat e armikut që fluturonin në Kiev u shkatërruan nga forcat dhe mjetet e mbrojtjes ajrore”, tha administrata. Kujtojmë se përplasjet në rajonet ruse pranë kufirit kanë vazhduar pothuajse çdo ditë për më shumë se një vit, ndonjëherë duke rezultuar në viktima civile. Në fund të vitit të kaluar Rusia pretendoi se Ukraina vrau 24 njerëz në bombardimet në Belgorod.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: