I dënuari për krime lufte, Dragan Vasilkoviç, i njohur si Kapiteni Dragan, së fundi ka nisur një peticion në Serbi për lirimin e dorasit të ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiç, Zvezdan Jovanoviç.
Gazeta opozitare serbe “Danas”, shkruan se pas këtij peticioni qëndron pushteti aktual në krye me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç.

Mediat shkruan se Vuçiçit i pëlqen të krahasohet me Gjingjiçin, ndonëse më herët u deklarua se “u deh nga lumturia”, -pasi vdiq ish-kryeministri demokrat serb. Vesna Pesiç, sociologe dhe bashkëpunëtore e Gjingjiçit në subjektin politik DOS, pyet se mbi çfarë baze i ashtuquajturi Kapiten Dragan kërkon falje për Jovanoviçin.

“Ai nuk është person publik, por një person i liruar nga burgu ku ishte për shkak të krimeve të luftës. Mbishkrimi në tendën për thirrje për peticion është se Jovanoviç është një hero lufte, domethënë pjesëmarrës në luftën e viteve të 90’a në luftën e zhvilluar nga Serbia, fillimisht Kroaci dhe më pas në Bosnje dhe Hercegovinë. Mbi çfarë baze pretendon Vasiljkoviç të jetë hero lufte?”, -ka deklaruar ish-bashkëpunëtorja e Gjingjiçit.

Gjingjiç u vra më 12 mars të vitit 2003 në moshën 50-vjeçare. Për të dënuarin për vrasjen e tij, Jovanoviç, gjykata pati marrë vendim për 40 vite heqje lirie.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb