Emisioni investigativ “Tak Fak” në News24, ka sjellë në vëmendje gjendjen alarmante të aksit rrugor Korçë–Ersekë, një investim me vlerë miliona euro që, sipas ekspertëve, përmban probleme serioze strukturore dhe rrezik potencial për përdoruesit.
Gazetarja Anxhela Gjiriti, gjatë një inspektimi në terren, ka konstatuar plasaritje të shumta përgjatë gjithë trasesë, ndërsa në disa zona janë dëgjuar edhe kërcitje të strukturave mbajtëse.
I pyetur nga “Tak Fak”, inxhinieri Romeo Nazarko, ka ngritur akuza mbi cilësinë e punimeve dhe mungesën e standardeve teknike.
Sipas Nazarkos, ky aks rrugor ka një rëndësi të veçantë historike, pasi ndjek trasenë e rrugës antike “Egnatia”, që ka lidhur për shekuj Janinën me Korçën.
Megjithatë, ai thekson se gjurma e rrugës është ndryshuar për arsye ekonomike, duke trefishuar koston nga 1 milion euro për kilometër në 5 milion euro për kilometër, ndërkohë që vlera e shtuar nuk reflektohet në cilësinë reale të ndërtimit.
“Muret mbajtës janë thjesht dekorativë, nuk kanë armatim të brendshëm dhe cilësia e betonit është shumë e ulët. Ky fakt u provua nga shembja e një pjese që më pas u riparua, por pa garanci për qëndrueshmëri afatgjatë,” u shpreh inxhinieri
Nazarko i cilëson këto ndërhyrje si “fasadë”, duke paralajmëruar për rreziqe të përsëritura në të ardhmen.
“Kjo është një zgjidhje provizore, një maskim për të mbuluar defektet. Ai segment ndodhet mbi shtresa me ujëra nëntokësorë, dhe brenda pesë viteve do të shohim shembje të tjera. Nëse nuk merren masa urgjente, rrezikohet jeta e qytetarëve që kalojnë çdo ditë aty,” deklaroi ai.
Inxhinieri ka bërë thirrje që institucionet përkatëse të hetojnë menjëherë dhe të marrin masa konkrete për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e aksit rrugor, për të shmangur një tragjedi të mundshme.
Intervista e plotë
Gazetarja e Tak Fak: Gjatë gjithë trasesë kemi parë plasaritje dhe diku diku dëgjoja dhe kërcitje, çfarë ka ndodhur?
Inxhinier Romeo Nazarko: ky është një aks i një rruge që ka lidhur ndër shekuj Janinën me Korçën, është pjesë e rrugës “Egnatia” dhe në shekuj ka qenë një rrugë tjetër e shkelur nga këmbësorët dhe mjetet.
Kjo u zhvendos unë jam ankuar, por për shkaqe ekonomike u rritën kostot e projektit nga 1 mln euro km në 5 mln euro. Dhe për këtë ndryshuan gjurmën e rrugës për të rritur zërat e punimeve të cilat janë në preventiv po që nuk shihen në terren. Muret mbajtës janë thjesht dekorativ dhe nuk kanë hekurin brenda dhe cilësia e betonit është e dobët.
Kjo u vërtetua nga shembja e një pjese që është më lart dhe që u riparua nga kompania por që nuk do të zgjasë shumë pasi aty mungon hekuri që është elementi kryesor i murit mbajtës.
Gazetarja e Tak Fak: Tak Fak ka qenë tek ura ku ra një vit më parë. Unë pashë punimet e kryera janë mbuluar me një shtresë.
Inxhinier Romeo Nazarko: Ato janë një maskim provizor ose fasadë për të mmbuluar çarjet, plasaritjet e urës.
Ajo urë i dha provat një vit më parë u rrëzua pa u dorëzuar nga kompania që kreu punimet por gjë që pritet pasi ai segment ka një shtresë me ujëra nëntokësorë. Pas 5 vitesh do të shohësh që do të ketë shembje të tjera. Duhet të ishin marrë masa.
Na rrezikohet jeta të gjithëve, ndaj kam reaguar që të hetohet për të përmirësuar ato defekte që janë me rrezik për jetën.
(BalkanWeb)