Emisioni investigativ Tak Fak ka sjellë historinë e qytetarit Andon Meta, i cili denoncon atë që e cilëson si një kalvar të gjatë me institucionet për pronën e familjes së tij në Kurbin.

Sipas denoncimit, babai i tij, Gjon Meta, kishte në pronësi përmes ligjit 7501 rreth 20 hektarë tokë që prej vitit 1991. Por, ndërsa fëmijët e familjes ndodheshin në emigracion, rreth 10 hektarë tokë, sipas tyre, u zapatuan nga Mark Ndrec Gjonaj, i cili më vonë u bë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkia Kurbin.

Familja Meta pretendon se që në vitin 1995 ka bërë kallëzim në bashki për zaptimin e pronës. Sipas dokumenteve të publikuara në emision, bashkia e asaj kohe kishte urdhëruar lirimin e tokës nga zaptuesi, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë.

Më pas, sipas dëshmisë së familjes, Gjon Meta u përball me probleme të rënda shëndetësore për vite me radhë, ndërsa çështja e pronës mbeti pezull.

Situata mori një tjetër kthesë në vitin 2020, kur djali i tij, Andon Meta, u kthye nga emigracioni. Ai pretendon se gjeti pronën e familjes të shndërruar në vend depozitimi inertesh pas tërmetit të vitit 2019, duke akuzuar Bashkia Kurbin për shkelje të ligjit.

Sipas rrëfimit të tij në “Tak Fak”, prej pesë vitesh ai ka ndjekur një betejë të gjatë me institucionet shtetërore, duke iu drejtuar me dhjetëra shkresa zyrtare bashkisë, prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera për të marrë informacion dhe për të kërkuar rikthimin e pronës.

Andon Meta thotë se ka hapur procese gjyqësore penale, civile dhe administrative dhe se, megjithëse rruga ligjore vijon të jetë e gjatë, ai nuk do të tërhiqet nga beteja për të rimarrë pronën që pretendon se i takon familjes së tij me ligj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb