TIRANE- Gjykata e Tiranës ka caktuar një masë të re sigurie për Lutfi Shabanin, i njohur ndryshe edhe si Ben Çami, i arrestuar pak ditë më parë për trafik të lëndëve narkotike. “Arrest me burg” ka qenë vendimi i Gjykatës, ndërsa masa e re është dhënë për qëllime ekstradimit pasi Shabani rezulton të jetë në kërkim nga autoritetet italiane.

Ai është dënuar me 10 vite burg në shtetin italian, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe krijim të organizatës kriminale. Aktualisht, Ben Çami ndodhet në burgun 313 në Tiranë.

Shabani është arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia e Korçës në bashkëpunim me policinë e Durrësit, aksion i organizuar më 26 shkurt të këtij viti në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku u tentua të trafikoheshin 575 kg hashash drejt Greqisë.

Në vitin 2008 Ben Çami u arrestua në Durrës me 15 kg heroinë që vinin nga Maqedonia, përdorej Shqipëria si vend tranzit, ndërsa destinacion final ishin vendet e BE-së.

Ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe pas disa vitesh qëndrimi në burg rifitoi lirinë, deri në arrestimin në muajin shkurt.

Policia e Shtetit ka deklaruar se Lutfi Shabani, i njohur ndryshe si Ben Çami është në kërkim edhe nga drejtësia italiane, ndërsa pritet dhe ekstradimi i tij drejt shtetit fqinj.

Në një komunikatë drejtuar mediave, Policia e Shtetit thekson se Çami akuzohet për veprat penale çami “Trafik narkotikësh” dhe për “Pjesëmarrje në organizata kriminale”, ndërsa është dënuar me 10 vite burg.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË
Në lidhje me Lutfi (Artan) Shabani, i njohur dhe si Ben Çami, i cili aktualisht është i arrestuar dhe ndodhet në burgun 313 në Tiranë, nën masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, Policia e Durrësit njofton se:

Ky shtetas është i kërkuar edhe nga organet e Drejtësisë Italiane, pasi është i dënuar në Itali me 10 vjet burgim, për veprën penale “Organizatë Kriminale për Trafikun e Lëndëve Narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, më datë 09.03.2016, në ambientet e burgut 313 Tiranë, i kanë komunikuar të ndaluarit Lutfi Shabani, Urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Autoritetet Gjyqësore Italiane, për veprën penale “Pjesëmarrje në Organizatë Kriminale me qëllim trafikun e Lëndëve Narkotike“, parashikuar nga Kodi Penal Italian, pasi ky shtetas është i dënuar me 10 vjet burgim.

Lutfi Shabani, është arrestuar gjatë një operacioni të zhvilluar nga Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës pasi:
Më datë 26.02.2016, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, gjatë kontrollit të ushtruar nga Shërbimet e Policisë Kufitare në mjetin tip “MAN” kamion, me drejtues shtetasin Eldi Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës, (i arrestuar), u gjet dhe u sekuestrua rreth 574 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas ishte bashkëpunëtor në këtë trafik së bashku me drejtuesin e kamionit dhe një shtetas tjetër Janaq Koçeli të arrestuar po gjatë këtij operacioni.
(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: