Ekipi i “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtuan në Kishnicë në komunën e Graçanicës, në Kosovë. Këtu banon 34 vjeçari Nebi Gashi me bashkëshorten, dy fëmijët dhe nënën e tij.

Nebiu është paralizuar prej 4 vitesh nga puna e rëndë fizike në ngarkim shkarkim. Gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Nuk kanë një banesë të tyre. Ditët i shtyn me shpresën se dikush do u zgjasë dorën e ndihmës.

“Unë jam Nebi Gashi jam 34 vjeç. Punoj punë krahu, kush më thërriste, unë shkoja. Bëja përgjithësisht punë të rënda. Kam pasur shumë dhimbje nga puna fizike, mjekët mezi ma gjetën diagnozën. Kushtet nuk i kisha, u bë vonë tani. Mbeta kështu, duhet të bëja operacion. Qëndroj shtrirë, nuk mund të eci dot. Halla ime më ka ndihmuar, më ka dërguar në Tiranë për operacion, mund edhe të humbja jetën nëse ajo nuk do më ishte gjendur. Më mirë të humbja jetën se në këtë gjendje të vështirë, nuk marr dot fëmijët. Ne jetojmë me një ndihmë sociale prej 75 eurosh. Ka patur raste që nuk kemi pasur edhe ushqim. Dal marr ajër vetëm njëherë në dy ose tre javë. Mërzitemi shumë, dua tu siguroj fëmijëve ndonjë shtëpi, këtë ëndërroj”,-thotë Nebiu i paralizuar.

Bashkëshorta tregon sa e vështirë është të kujdeset për Nebiun dhe fëmijët, kur edhe ushqimi në tryezë u mungon.
“Mërzitemi shumë për shëndetin e Nebiut, ka tre vite e gjysmë, nuk kemi pasur mundësi ta operojmë. Kemi kërkuar para tek njerëzit, kush ka patur mundësi na ka ndihmuar. Kur e dërguam në spital ai nuk mund të ectë më. Për mua gjendja jonë ekonomike është keq. Shpenzimet nuk na dalin për tu kujdesur për të, për fëmijët nuk po flas hiç, veç ta kisha parë në këmbë Nebiun, për veten nuk do kërkoja gjë tjetër. Kam qëndrua pa ngrënë e pa pirë në shumë raste. Ajo që dua më shumë është ta shikoj të ngrihet në këmbë. Këto vite kur bashkëshorti im është sëmurë, unë kam qenë vetë burrë e vet grua. Edhe vajza më është sëmurë, se ra nga shkallët, pas kësaj jam operuar vetë. Vajza më kërkon ndonjë lodër, s’kam mundësi. E kam zemrën e plasur, qoftë për burrin, për fëmijët, nuk di çfarë do bëjmë. Natën gjumi nuk më zë, veç lotoj, fëmijët më pyesin kur qaj. As pesë minuta nuk e lë dot burrin vetë, qan vetëm, mërzitet ai”,- shprehet bashkëshortja e Nebiut, Rukija.

E ëma e Nebiut, Raza dëshiron që të djali i saj të ketë të paktën mjekun pranë pasi banojnë larg spitalit.
“Shumë vështirë, burri im ka ndërruar jetë 15 vjet më parë prej mëlçisë. Ky djalë na ka mbajtur me bukë. Ka pasur edhe raste kur nuk kemi pasur bukë në tavolinë. Të mos kesh të hash as bukë, sa në vështirësi jemi. Mjekun do donim ta kishim afër, kur i thërrasim nuk na vjen njeriu këtu”,- thotë Raza 60 vjeçare, e ëma e Nebiut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb