NGA ANILA JOLE*

GREQI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një fshat të Greqisë, ku një shqiptar ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij 33 vjeçe në prani të fëmijëve të mitur 8 dhe 10 vjeç. Krimi ndodhi në Nafplio, ku 45-vjeçari qëlloi për vdekje me thikë të shoqen, sepse siç bëhet e ditur, ajo i kishte kërkuar divorcin.

Bashkëshortët janë grindur ashpër me njëri-tjetrin dhe burri ka rrëmbyer thikën duke goditur të shoqen. Fëmijët të tmerruar kanë vrapuar në katin e sipërm, në banesën ku jeton pronari i shtëpisë dhe kanë thënë: “Nëna jonë është në mes të gjakut. Babai e ka lënduar. Ejani shpejt”.

Policia e njoftuar menjëherë mbërriti në vendngjarje dhe e dërgoi 33-vjeçaren në spitalin rajonal, por ajo nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të thikës. 45-vjeçari u arrestua dhe u konfiskua thika e krimit. Tragjedia  me sa duket ishte paralajmëruar nga gruaja, e cila iu kishte thënë fqinjëve të saj pak para vrasjes: “Burri im më tha se do të më vrasë. Ju lutem më ndihmoni. Burri im më tha se do të më vrasë dhe do të marrë fëmijët”.

Sipas shtypit grek, gruaja kishte frikë të bënte denoncimin në polici, për shkak se ajo dhe fëmijët e saj nuk kishin leje qëndrimi. Ndërsa nga të dhënat mësohet se shqiptari sapo ishte liruar nga burgu.

KUSH ISHTE AUTORI

Media greke shkruan se vrasësi ka qenë me precedentë të mëparshëm, i dënuar në Korfuz për vepra të rënda mes të cilave edhe për vrasje në bashkëpunim të një kushëriri të vet. Ai nuk lejohej të hynte në Greqi dhe për këtë i kishte kërkuar gruas të kthehej mbrapsht, së bashku me fëmijët por ajo nuk pranonte. Ai duhet të ketë hyrë ilegalisht në Greqi ku kreu edhe vrasjen e bashkëshortes.

Ai kishte pak ditë që ishte kthyer dhe në ditët e fundit, fqinjët tregojnë se gruaja, por edhe fëmijët kanë qenë të shqetësuar. “Ajo kishte frikë. I thashe të shkonte në polici, por më tha se i druhej asaj që mund të bënte ai. Po ta dija se ishte i rrezikshëm do ta kisha denoncuar”, thotë një i moshuar. “Arrestimi i tij është bërë pak kohë pas krimit”­ njoftojnë mediat greke duke iu referuar policisë, por pa bërë të ditur as identitetin e viktimës. Gruaja u dërgua në gjendje kritike në spital, por më pas humbi jetën, duke mos i mbijetuar dot plagëve të marra. Nderkohe qe femijeve ende nuk u eshte thene se nena e tyre ka vdekur.

FQINJËT: VIKTIMA, NJERI SHUMË I MIRË, I BESONIM ÇELËSAT E SHTËPIVE 

Banorët e fshatit në Gemini Argolidas ku ndodhi krimi e përshkruajnë gruan që u vra nga bashkëshorti i saj, si një njeri të drejtë dhe punëtore. “Ajo ishte njeri shumë i mirë, nuk mund ta besoni dot. Ishte aq e mirë, sa asaj të gjithë në fshat i besonin çelësin e shtëpisë. Ajo nuk e meritonte atë burrë”, thonë banorët. Gruaja punonte si ndihmëse në banesat e fshatit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: