Erdhi më në fund momenti që të gjithë të heshtemi – ashtu si duhej dhe u heshtëm pas sigurimit të fondeve të rindërtimit, qofshin këto grante, ndihma apo kredi, sepse njëkohësisht me afirmimin e realitetit strategjik në rajon, pas ndërtimit të të parës bazë të Organizatës Ushtarake të Atlantikut Verior, na u dha mundësia e një premtimi, për të parin investim një miliardësh.

A është me vend diskutimi se ky investim është privat qoftë si fond apo edhe si interes, kjo është një “xhufkë me bisht”, e cila i rri shumë mirë vetëm pupacëve të “palo-politikës”. Jemi shurdhuar nga njëra anë se mungesa e investimeve strategjike në vend, po nxit emigracionin, dhe, nga ana tjetër, jemi mbytur nga “propaganda” shpopulluese e nxitur dhe e kërkuar nga nevoja për krahë pune në perëndim, kryesisht në Gjermani. Gjermania këtë nevojë pune nuk e ka nga mbikualifikimi dhe nga shkëlqimi financiar në të cilin gjendet; po ashtu edhe Italia; apo edhe një apo disa vende të tjera ku janë dyndur forcat e afta për punë të çdo profesioni nga Shqipëria.

Dhëndri apo kushdo familjar i cilitdo personaliteti ose të njohuri a të famshmi në botë qoftë, dikush që merr guximin, sikur edhe të gënjejë se do të investojë në Shqipëri, një miliard dollarë të çmuar amerikanë, është, edhe sikur, një gënjeshtër apo mashtrim, vjedhje apo korrupsion, shumë i bukur për realitetin rajonal dhe global në të cilin jetojmë.

Ndërkohë që Presidenti Trump ishte në pushtet, u përfol për një interesim të tijin, ose të kompanive të tij për investime startegjike në fushën e turizmit në Gadishullin Korean. Pavarësisht pozitës shtetërore dhe ndikimit të pushtetit që kishte në atë kohë, kjo u pa edhe si një mundësi për hapjen e Koresë së Veriut ndaj perëndimit dhe për më tepër, ndaj armikut të saj të përbetuar ideologjik, politik dhe ushtarak, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Janë një sërë investimesh që qeverisja njëmbëdhjetë vjeçare e Partisë Socialiste dhe e Kryeministrit njëmbëdhjetë vjeçar, Edi Rama, po promovojnë, apo për ta thënë në një gjuhë gjithëpërfshirëse, propagandojnë së fundmi, janë kontestuar apo kanë kërkuar shpjegime ambientaliste, ekonomike dhe startegjike nga individë pa identitet ambientalist, ekonomik dhe strategjik, gjoja të bazuar në parime patriotike – kombëtare.

Në një studio apo mjedis diskutimi mediatik, diskutohet pa të keq se aeroporti ndërkombëtar, i ardhshëm i Vlorës, në  afërsi të Lagunës së Nartës, do të dëmtojë ekzistencën e shpendëve ndër më të rrallët në botë; në një tjetër, se investimi një miliardësh në dollarrë amerikanë në Sazan është një qasje politike për interesa të fuqizimit të pushtetit të vetë kryeministrit; nga një tjetër spektër i paidentifikueshëm lindin dyshime për hapjen dhe funksionimin e të parës Baze Ushtarake të NATO në vend dhe rajon; të bëjnë që të mendosh se pikërisht këtu, në vendin tonë të vogël ku informacioni jepet për kusur dhe intrigat janë më pak se infantile, është kërthiza e komploteve të politikës botërore.

A është e mundur që pa asnjë konsultim publik/politik/ekonomik/strategjik, t’i japim të parit investitor edhe të gjithë Karaburunin, që ka mbetur djerrë  dhe i pashfrytëzueshëm? Po sikur të shpronësohen edhe të gjitha investimet e pjeshshme dhe të paplotësuara në tërësinë e shërbimeve të tyre të deritanishme, dhe t’i jepen një investitori tjetër një miliardësh?

Në një nga studiot mediatike të debatit patriotik kombëtar, ishin përballë dy profesorë në nivel akademik të fushës së ekonomisë dhe me bagazh të çertifikuar, dhe një çjerrës vokal që kundërshtonte mundësinë – ose në rastin më të mirë të mundshëm kërkonte transparencë dhe bla bla bla në emër të interesit popullor bolshevik -, dhe debati u mbizotërua nga çjerrja e pashkollë e cila u kundërshtua nga heshtja akademike; në një studio tjetër, ishte një identitet pa identitet personal ideologjik politik dhe social, kundër realitetit praktik që fliste për ideologji të së ardhmes në emër të zhvillimit futurist politik.

Çfarë duhet të zgjedhim nga të dy protagonistët e secilit mjedis mediatik përballë realitetit praktik, qoftë ky i fundit edhe pragmatist? – për këtë të fundit nuk na duhet një kundërshti politike, sepse e kundërta e realitetit pragmatist është naiviteti politik, një tipar i papranueshëm dhe i paqënë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb