Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi propozimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” ndaj magjistratit Sali Hasa. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Po ashtu Hasës i është pezulluar edhe përfitimi i pagës 50%, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata. Ky i fundit përfitonte deri më tani 80% të pagës.

Kujtojmë se më 31 maj 2021 Gjykata e Posaçme, e dënoi atë me 2 vite burg që u konvertua në 4 vite shërbim prove për akuzën e “korrupsionit” ndërsa u shpall i pafajëshëm për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.

Sipas dosjes, prokurori Hasa dyshohet se ka pushuar çështjen e shtetasit Emiljano Mirani të akuzuar për “plagosje të lehtë” përmes ndërmjetësimit të motrës së këtij të fundit Elsona Papa, punonjëse e Policisë Bashkiake Sarandë.

Vendimet e marra në mbledhjen e sotme:

1. Vendimi “Për caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, ndaj prokurorit të Prokurorisë Sarandë, Z.Sali Hasa”. Ky vendim u miratua me 9 vota pro dhe votën kundër të zonjës Seiti, në mungesë të zotit Bazaj.

2. Miratimi i procesverbaleve të Seancave Plenare të datës 03.07.2023 dhe 10.07.2023

3. Vendimi “Për shpalljen e 2 vendeve vakante me procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.

4. Vendimi “Për caktimin e përkohshëm të Zotit Kujtim Basha në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.

5. Vendimi “Për caktimin e përkohshëm të Zonjës Elidjana Kasa në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”.

6. Projekt-akti “Për caktimin e përkohshëm të Zonjës Pranvera Gruda në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”. Ky projekt-akt nuk u miratua pasi Këshilli votoj me 6 vota kundër dhe 4 pro, në mungesë të zonjës Riza.

7. Vendimi “Për caktimin e përkohshëm 3 mujor, të Zotit Urim Buci në detyrën e drejtuesit të prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër”.

8. Vendimi “Për praktikën profesionale të kandidatëve për magjistratë të Shkollës së Magjistraturës” për vitin akademik 2023-2024.

9. Vendimi “Për një ndryshim në vendimin Nr.204, datë 27.06.2022 “Për miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të prokurorit Edmond Koloshi”.

10. Projekt-akti mbi “Shfuqizimin e vendimit të datës 04.07.2023, të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm…,
mbi zëvendësimin e prokurores E. B nga drejtimi i hetimeve për procedimin penal Nr. —-/2023.” (Ky projek-takt u shty për vendmarrje në datën 19.07.2023 ora 10.00.)

11. Miratim i rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (Ky projektakt u shty për vendimarrje në një mbledhje tjetër me kërkesë të mbi 6 anëtarëve.)

12. Projektakti “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin Nr.268, datë 11.10.2022, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, “Për miratimin e rregullores për komunikimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me median””. (Ky projektakt u shty për vendimarrje në një mbledhje tjetër me kërkesë të mbi 6 anëtarëve.)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: