Vendimi i formës së prerë për ankesën e Ratko Mladiç do të arrijë brenda fund vitit 2020, deklaroi Carmel Agius, president i mekanizmit ndërkombëtar për gjykatat penale në Hagë, pranë Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi (TPI).


Mladiç, 77 vjeç, ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, është dënuar në shkallën e  parë me burgim të përjetshëm në nëntor 2017 për gjenocid, krime lufte dhe kundër njerëzimit për masakrën kundër 8 000 boshnjakëve myslimanë të Srebrenicës në korrik 1995, për rrethimin e Sarajevës dhe për persekutimet dhe vrasjet e myslimanëve dhe kroatëve në të gjithë territori boshnjak gjatë konfliktit të armatosur 1992-1995.


Mladiç, i cili nuk gëzon shëndet të mirë, është i arrestuar në burgun e TPI në Scheveningen, jo shumë larg nga Haga. Mbrojtja ka apeluar kundër dënimit të shkallës së parë. Duke folur dje në Këshillin e Sigurimit të OKB, ku u prezantua raporti i fundit mbi veprimtarinë e mekanizmit të mbetur, Agius tha se gjyqtarët do të shqyrtojnë ankesën ndaj Mladiç me siguri pranverën tjetër dhe vendimi do të jepet në fund të vitit 2020.


Protagonisti tjetër i luftës në Bosnje, Radovan Karaxhiç (73 vjeç), një ish-udhëheqës politik i serbëve të Bosnjës, është dënuar nga apeli me burgim të përjetshëm me akuzat e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Në shkallën e parë tre vjet më parë, ai ishte dënuar me 40 vjet burg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb