Nga: BESNIK BAKIU*
Sipas gazetës greke “Kathimerini”, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të vizitojë Tiranën, ku do të paraqesë edhe një paketë propozimesh prej 7 pikash, mes të cilave edhe propozimin për korrigjimin teknik të paktit detar të nënshkruar në vitin 2009. Ky propozim është të vazhdosh aty ku u mbyll historia, të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë më parë, pasi qeveria greke këmbëngul në një zgjidhje politike të problemit.
Politika shqiptare u tregua shumë entuziaste për këtë vizitë dhe axhendën e propozimeve që ajo pritet të sjellë, duke neglizhuar kontekstin kur kjo vizitë do të kryhet, si situatën e brendshme greke dhe “krizën greke” në rrafsh evropian, ashtu edhe faktin se kjo vizitë kryhet pas disa deklaratave dhe veprimeve aspak racionale dhe në disa raste shoviniste të politikanëve grekë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Vetëm para disa ditësh, ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos deklaronte për “Riorganizim të ushtrisë në kufirin me Shqipërinë”, dhe se “Greqia nuk do të japë asnjë milimetër të tokës, detit dhe ajrit të saj”. Kjo, lidhur me aksionin e ndodhur jo shumë kohë më parë në detin Jon (në blloqet detare që i përkasin Shqipërisë), ku u dërguan misione eksplorimi për hidrokarbure.
Personalisht më shqetëson situata e pakëndshme në marrëdhëniet shqiptaro-greke, pasi siç ka parashikuar një nga ideatorët dhe ideologët e Rilindjes shqiptare, poeti kombëtar Naim Frashëri, “Interesat politike e të dy kombeve e do që gjithnjë Shqipëria dhe Greqia të jenë miq të pandarë. Por fazat historike që prej një shekulli e tëhu do të nxjerrë shumë pengime për një marrëveshje të vërtetë”, por nuk mund të qëndroj i distancuar dhe pa reaguar, kur dëgjoj këto deklarata dhe kur shoh këto veprime.
Habitem se si ka mundësi që fqinjët tanë nuk kanë kuptuar ende frymën evropiane se barazia e shteteve, interesi i ndërsjellë, transparenca, respektimi i tërësisë territoriale, përjashtimi i presioneve, mashtrimeve apo kërcënimeve, nderimi mes kombeve, respekti ndaj kulturave, janë themelet e një fqinjësie të mirë mes shteteve.
Kërkesat dhe presionet greke për këtë marrëveshje, janë të papranueshme dhe irracionale. Nuk mund të ngjallet i vdekuri. Marrëveshja e detit nuk ekziston, prandaj rreth diçkaje të vdekur nuk mund të bësh rinegocim dhe korrigjime teknike.
Kjo mrekulli, e shprehur në tekstet e njërit prej besimeve universale, në “Dhiatën e Re” të Jezu Krishtit, dhe e njohur si “Ringjallja e Llazarit”, nuk ka të njëjtën vlerë dhe domethënie për historinë. I vdekuri historik nuk mund të ringjallet.
Sidomos kur aktorët e kësaj shfaqjeje kokëfortë nacionalizmi nuk kanë të përbashkëta me mrekullibërësin. Madje dhe negociatat e reja nuk mund të fillojnë mbi bazën e një marrëveshjeje të vdekur.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është shprehur qartë dhe prerazi, se marrëveshja e detit ishte e papajtueshme me Kushtetutën, si në formë (“mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës”), ashtu edhe në përmbajtje (“moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare”).
Në këto kushte, asnjë institucion zyrtar i Shqipërisë, sot dhe në të ardhmen, nuk mund të bëjë objekt bisedimesh marrëveshjen që është cilësuar “e vdekur” nga një institucion suprem.
Askush nuk mund të guxojë të ulet në tryezën e (ri)bisedimeve për të njëjtin objekt, pasi marrëveshja e vdekur, nuk ndante ashtu siç thuhej në titull Shelf Kontinental në kuptimin juridik, por Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial, kur ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar dhe jo vetëm mbi këto ujëra, por edhe në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial.
Janë inkurajuese deklaratat e zyrtarëve tanë më të lartë se: “ne nuk kemi ndër mend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë”.
Gjithashtu Gjykata Kushtetuese është shprehur, se: “Kufijtë shtetërorë, përfshi natyrshëm edhe kufirin e Detit Territorial ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, kanë ekzistuar… Prandaj, duhej të ishin verifikuar vetëm rastet e mbivendosjeve të pretenduara ose nevoja e saktësimit të këtij kufiri shtetëror (vijës së jashtme të Detit Territorial)”.
Kufiri detar shqiptaro-grek ka ekzistuar, dokumentuar, njohur dhe respektuar jo vetëm nga të dyja palët, por edhe subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare.
Kjo vijë është sanksionuar në Aneksin III të Protokollit të Firences: “Duke filluar prej shenjës kufitare Nr. III/79, vija e kufirit drejtohet nga Jug-Jugperëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metrash, takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale, duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos, i ngelet Shqipërisë”.
Kufiri është konfirmuar edhe në akte formalo-juridike ndërkombëtare, si: Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur shqyrtoi dosjen e Incidentit të Kanalit të Korfuzit, në vitet 1947-1949, pasi pohohet se ngjarja ka ndodhur në ujërat territoriale të Republikës Shqipërisë.
Po ashtu, është fakt i njohur gjatë Luftës së Ftohtë, që në kanalin e Korfuzit deri në vitin 1968 (kur ne ishim në Traktatin e Varshavës) ndaheshin kufijtë e dy blloqeve, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës.
Askush nuk e beson se këto blloqe nuk e paskan pasur të ndarë këtë kufi, kur juridiksioni i këtyre blloqeve shtrihej sipas vijës kufitare të shteteve anëtare? Nuk kemi harruar se si rezultat i gjeopolitikës së kohës u krijuan dy shtete gjermane me kufij të përcaktuar ekzaktësisht dhe u nda në mes të tij një qytet si ai i Berlinit.
Edhe në marrëveshjet e përbashkëta shqiptaro-greke, vija e kufirit është njohur zyrtarisht. Po citoj vetëm disa pjesë prej tyre: “…brenda ujërave territoriale të Shqipërisë…”, “…në ujërat territoriale shqiptare…”, “…hapësirat detare të dy vendeve…”, “…përgatitjen e planeve për ruajtjen e kufirit detar shqiptaro-grek…”.
Asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim institucional prej qeverive greke, përkundrazi, ky kufi është njohur dhe respektuar. Deklaratat mediatike sa herë që fqinji ynë ka probleme të brendshme, apo gjatë fushatave elektorale, nuk kanë asnjë vlerë në të drejtën ndërkombëtare.
Prandaj, pavarësisht presionit dhe këmbënguljes greke, mendoj se nuk duhet shpejtuar për fillimin e bisedimeve.
Nuk kemi pse ngutemi. Të mos harrojmë se Greqia ka 75 vjet që nuk ka abroguar (sot po kujtohet për të në mënyrë urgjente, si për ta rivdekur një ligj që i vdekur ka qenë prej vitesh) ligjin absurd të luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, ndonëse Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të NATO-s dhe në bazë të artikullit 5 të Traktatit themelues të NATO-s duhet të bëjnë luftë kundër të tretëve për të mbrojtur njëri-tjetrin.
Duhet të pritet një klimë politike më miqësore midis dy shteteve, që marrëveshja tjetër të mos lindë e vdekur, por të jetë e shëndetshme dhe e drejtë, për t’u hapur udhë të reja bashkëpunimit dhe mirëkuptimit jo vetëm mes dy popujve tanë të lidhur me miqësi, por edhe qeverive tona respektive, që e kanë shansin t’i kthejnë në favor të vendeve të tyre situatat dhe rrjedhat në të cilat ka hyrë sot kontinenti ynë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: