NGA FATMIRA NIKOLLI

Dollap më pjesë ikonostasi, dru, fillimi i shek. XXI sa juar me tri ikonostase të ndryshme që datojnë në shekujt XVIII-XIX, mobilje me tri kanate dhe dy sirtarë, e sajuar me fragmente ikonostasesh. Dallohen dy tipa gdhendjesh”. Ky është përshkrimi për një prej objekteve, ndërsa matanë ka edhe pjesë baldakini, marrë nga ikonostaset me të cilën është ndërtuar një kornizë. Me gjithë këto keqpërdorime, me gjithë çka mbetur, apo çka humbur, me gjithë ç’mund të jetë shitur apo ç’mund të ketë ndërruar pronësi, me gjithë faktin që koleksionisti është në pranga me akuzën e vjedhjes, koleksioni i tij sot, është një muze më vete, e së pari, një ekspozitë thesaresh.

62 prej 476 objekteve ikonografike dhe dekorative që iu sekuestruan koleksionistit Gjergji Thimio janë ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Ditës së Trashëgimisë. Objektet, me një vendim të formës së prerë nga gjykata i kanë kaluar në pronësi Ministrisë së Kulturës vitin e shkuar, ndërsa koleksionisti vuan dënim me burg për akuzën e “vjedhjes së veprave të artit dhe kulturës në bashkëpunim”.

Secili nga 476 objektet është regjistruar, kartelizuar dhe pajisur me pasaportë nga shteti ku jepet çdo e dhënë, përveç vlerës monetare. Prej një viti, një grup prej 15 ekspertësh kanë hartuar një raport e një katalog ku jepen detaje për secilin objekt që i është sekuestruar Thimios, duke filluar që nga ashklat e drurit. Siç u tha dje zyrtarisht, prej këtyre, para hetimit, ishin regjistruar vetëm rreth 60 objekte, ndërsa qenë deklaruar pothuaj 100. Në të ardhmen, Ministria e Kulturës, një pjesë të objekteve do t’i lërë në Muzeun Historik Kombëtar dhe një pjesë në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.

MINISTRJA
Në fjalën e mbajtur dje, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se ekspozita është një arritje e gjithë sektorëve, në këtë strategji 3-vjeçare, që ka pasur në fokus luftën kundër abuzimeve, keqpërdorimeve dhe trafikimeve të trashëgimisë kulturore të vendit tonë. Ajo e quajti arritje punën e bërë me ish-ikonat e Gjergji Thimios kur tha se “ndajmë në këtë 29 shtator një nga arritjet e sistemit te trashëgimisë kulturore të ministrisë dhe të institucioneve të varësisë”.

Në vijim, Kumbaro bëri një kthim pas në kohë për të sjellë të plotë historikun e këtyre objekteve: “Një koleksion shumë i madh u sekuestrua nga policia, ky koleksion u bë objekt i një procesi të gjatë hetimor, gjyqësor që përfundoi si sot një vit më parë. Përtej pjesës juridike e procedurale, që e ka ndjekur magjistratura, Ministria e Kulturës dhe sistemi i trashëgimisë kulturore, pati barrën e vështirë të trajtimit të këtij koleksiokoleksioni. 476 objekte që gjatë kohës së procedimit kanë qenë të depozituara në mjediset e GKA, në fund të shtatorit 2015 me vendim të gjykatës. I gjithë koleksioni që deri në atë moment shërbente si provë e procesit hetimor, iu kalua Ministrisë së Kulturës për fondet publike të Trashëgimisë”. Ajo vlerësoi procesin e detajuar profesional nga MHK, GKA të QKIPK- përgjatë këtij vitit dhe, mandej vuri në dukje se ekipi ka kataloguar diagnostikuar, certifikuar dhe krijuar një fond të jashtëzakonshëm të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare me këto objekte të artit bizantin.

“Ishte një punë e vështirë, sepse dokumentacioni ishte i mangët. Një ekip prej 15 vetash, kryesuar nga drejtuesit e institucionit hartuan një katalog model profesionalizmi që tregon se si duhet punuar. Deri para tri vjetësh lajmet ishin për vandalizma nëpër kisha. Sot flasim për cilësi, për profesionalizëm. Dhe sot, dua të tërheqim vëmendjen mbi mbrojtjen e trashëgimisë dhe luftën kundër trafikimit”. Në vijim të fjalës së mbajtur, Kumbaro shtoi se një punë të madhe ka bërë Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, e cila tanimë ka krijuar terminalet e veta pranë policisë, pranë doganave dhe pranë prokurorisë për të kapur ose parandaluar çdo risk”.

“Specialistët përzgjodhën rreth 62 objekte të ekspozuara për vlerat, interesin artistik e historik. U zgjodhën edhe disa objekte për të treguar se si është keqpërdorur ky koleksion. Mbase duhet të ndaleni e të shihni se si me pjesë ikonash ndërtohet një dollap, se si me këto pjesë bëhen korniza mediokre”, tha Kumbaro. Ajo njoftoi se të hënën në Korçë inaugurohet Muzeu i Artit Mesjetar. Mandej e pyetur nga mediat, nëse është caktuar një vlerë monetare për objektet e ekspozuara Kumbaro tha se jo. “Nuk ka një vlerë monetare pasi i kanë dhënë prioritet dokumentimit të materialit që në burim, origjinë, vlera estetike dhe artistike”.

SILVA BRESHANI
“E shihni këtë baldakin? Është sharruar. Nga grupi i punës është kuptuar që është një nga pjesët më të rëndësishme e më të rralla që ka pasur dhe është kthyer në kornizë”. Silva Breshani, drejtore e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Veprave të Artit tha dje para mediave se ikonat u shpëtuan nga kush ka dashur t’iu bëjë keq.

“Kjo pasuri që shihni këtu nuk është kurrë trashëgimi familjare dhe nuk mund të jetë e tillë. Policia e prokuroria kanë provuar se është shkëputur nga një kontekst tjetër, që nuk na përket askujt nga ne, por kombit shqiptar, ndaj themi që kemi shpëtuar dhe duhet të jenë pjesë e muzeve dhe institucioneve”. Breshani bëri me dije se Gjergji Thimios i është bllokuar verifikimi, regjistrimi në vitin 2013, sepse, nëse thuhej që ishte trashëgimi familjare, duhej ta provonte prejardhjen.

“Në deklarimet e vitit 1995 kur ai ka kërkuar të marrë certifikimin për muze, kanë qenë 121 vepra të deklaruara. Edhe nga këto, vetëm 60 ishin të regjistruara. Më pas z. Thimio ka bërë transaksione të ndryshimit të pronësisë, çka nuk e bën më atë koleksionist, sepse një koleksionist shkëmben, por jo të shesë. Kjo e bën tregtar”.

Në cilësinë e drejtores së QKIPK-së, Breshani shtoi se para 2013-ës të regjistruara Thimio kishte 100 ikona e objekte, ndërsa një pjesë ishin në proces. Ajo theksoi se nuk mund të jetë trashëgimi familjare një pjesë ikonostasi apo një baldakin, sepse janë pjesë kishe. “Objektet janë të shtetit shqiptar, i cili provon pronësinë, sepse ato objekte janë shkëputur nga konteksti. Ikonostasi dhe baldakini nuk mund të jenë pronë private”.

Sa i takon investigimeve të dala në media, për ikona të caktuara të Thimios, që rezultojnë të jenë në ambiente private, Breshani tha “QKIPK i ka dyert të hapura. Kemi një dosje të saktë për të gjithë dokumentacionin. Çdo hije dyshimi, keqkuptim mund të sqarohet se çdo objekt i sekuestruar nga prokuroria është në MHK dhe ruhet këtu. Kjo që them është në kompetencat e mia dhe mbaj përgjegjësinë që më takon me të gjitha penalitetet e saj”. Në fund ajo dha një shembull tjetër, pse objektet e sekuestruara nuk mund të jenë trashëgimi familjare e Thimios: “Ai ka thënë trashëgimi familjare, por një derë ikonostasi ku shkruhet dhuratë e popullit të Zhumit për kishën e Hyjëlindëses, nuk mund të jetë pronë e Gjergji Thimios. Nuk mund ta quaj koleksionist, ka qenë më 1995 dhe 1997 që u vlerësua nga të gjithë. Sot nuk mund ta them”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb