Ish-deputeti socialist Arben Malaj ka deklaruar se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është ndalur, duke e lidhur këtë me vendimmarrjen e shumicës parlamentare për rastin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në emisionin Studio24 në News24, Malaj u shpreh: “Për mua integrimi është bllokuar për Shqipërinë që nga momenti kur PS bllokoi vendimin për Ballukun.”
Sipas tij, kërkesa e SPAK kishte alternativa të arsyeshme për masën e sigurisë: “SPAK është treguar i kujdesshëm, i dha dy mundësi, arrest me burg ose në shtëpi. Okej është zonjë dhe mos të arrestohet në burg, por PS arrestin në shtëpi mund ta lejonte, nuk ka ndonjë gjë.”
Malaj ngriti edhe dyshime mbi arsyet e refuzimit, duke shtuar: “Ndoshta Rama ka pasur frikë se të njëjtën masë do e kërkonin edhe për të. Ky vendim rrëzoi urën drejt BE dhe e vetmja mënyrë që ura të vijojë është dorëheqja e Kryeministrit.”
Ai theksoi se dorëheqja nuk duhet parë si diçka e jashtëzakonshme: “Nuk është ndonjë hata e madhe. Njerëz kanë qenë heronj luftërash dhe nuk kanë fituar zgjedhjet, nuk është ndonjë gjë e madhe. Ne e lidhim çdo gjë me të.”
Duke folur për kriteret e anëtarësimit në Bashkimi Europian, Malaj u shpreh se Shqipëria ka ngecur në aspektin e demokracisë: “Procesi i anëtarësimit ka kriteret e tij. E para është demokracia, ekonomia dhe minoritetet kulturore. Ne kemi ngecur te pika e parë.”
Në lidhje me reformën në drejtësi, ai shtoi: “Vërtet u bë reforma në drejtësi, Rama nuk e pengoi reformën, jo se e bëri. Nuk di që 100% e parlamentit të miratojë një ligj, ajo ka qenë ndërhyrje e partnerëve ndërkombëtarë.”
