TIRANE- Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë të lirë Mihal Llazarin, 21-vjeçarin e burgosur prej nëntorit të vitit 2013, për posedim të lëndës narkotike, hashash, të cilën iu gjetën në shtëpi, ku e mbante për përdorim personal. Vendimi i Gjykatës është komunikuar dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për Spitalin e Burgjeve në Tiranë, ku i riu ka qenë i shtruar prej fillimit të prillit 2015, pasi ishte në gjendje të rëndë psikologjike dhe mendore.

Sipas ‘Shekullit’, me ndërhyrjen personale të drejtorit të Spitalit të Burgjeve, Luçiano Qafoku, 21-vjeçari është nisur dje pasdite në drejtim të burgut të Peqinit, ku ai vuante dënimin deri në fillim të prillit, nga ku do të zbatohet edhe urdhri i lirimit të tij dhe do tu dorëzohet familjarëve, për të marrë trajtimin ambulator në shtëpinë e tij në qytetin e Himarës.

Mondi Llazari, babai i 21-vjeçarit nga Himara, falenderoi drejtësinë për këtë vendim njerëzor ndaj fëmijës së tij të sëmurë si dhe deputetin e qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima. “Nuk gjej fjalë që të them, sepse unë në këto momente jam në gjendje të rënduar emocionale, pasi më është liruar djali, por, përveç drejtësisë, dua të falenderoj veçanërisht deputetin Kokëdhima, që u interesua si prind dhe vëlla e shkuar vëllait që im bir të kthehet në shtëpi”- tha përmes telefonit, Mondi Llazari, citon kjo gazetë. Ai tha se djalin e kishte takuar për herë të fundit 20 ditë më parë në spitalin e Burgjeve dhe se ishte në gjendje më të mirë se një muaj më parë kur erdhi urgjent nga burgu i Peqinit, ku vuante dënimin.

Apeli për Mihal Llazarin
Rasti flagrant i burgosjes së Mihal Llazarit u bë publik nga deputeti i PS-së në qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima, në vizitën që ai i bëri në spitalin e Burgjeve, pasditen e 6 prillit 2015. 21-vjeçari kishte ardhur disa ditë më parë në spital për trajtim të specializuar, pas problemeve të rënda shëndetësore, të cilat i ishin shtuar në burgun e Peqinit, ku vuante dënimin e dhënë në maj 2014, me akuzën si shpërndarës droge, hashash, dhe, pas pranimit të gjykimit të shkurtuar, ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.

Në gjendje të rënduar mendore, i riu i kërkoi deputetit që ta ndihmonte që t’i kthenin rrobat që kishte lënë në burgun e Peqinit, ndërsa deputeti Kokëdhima i premtoi se së shpejti ai do të shkonte në shtëpinë e tij në Himarë. Drama e 21-vjeçarit të lindur në Greqi nga dy prindër emigrantë shqiptarë, nisi në nëntor 2013, kur i ati, shumë i merakosur nga varësia e të birit prej hashashit, mendoi që ta zgjidhë duke iu drejtuar policisë.

Pas takimit me të riun, deputeti Kokëdhima kërkoi publikisht lirimin e tij: “Mihal Llazari është vetëm 21 vjeç dhe ka më shumë se 1 vit e gjysmë në burg. Është nga Himara dhe nuk ka bërë asnjë krim, thjesht ka qenë përdorues i hashashit, pasi ka pasur familje me prindër të ndarë. I ati raportoi vendin ku djali mbante hashashin që pinte. Ai tani vuan burgim të gjatë, në një gjendje mjaft të keqe. Fati i tij është i ngjashëm me të rinj e të reja të tjerë që ndëshkohen nga një legjislacion penal i jashtëzakonshëm.

Kokëdhima: Të reformohet legjislacioni
Prej disa muajsh, deputeti Koço Kokëdhima, bashkë me deputetë të tjerë kërkon reformimin e legjislacionit shqiptar, që Shqipëria të legalizojë sa nuk është vonë, kanabisin për qëllime mjekësore dhe si një kulturë për eksport, duke i dhënë një stimul të madh ekonomisë dhe nga ana tjetër si një masë sociale që do të ndihmonte shumë të rinj dhe familje që po vuajnë ashpërsinë e Kodit Penal.

“Kjo çështje meriton që të kemi një legjislacion komplet shumë më të arsyeshëm, më të drejtë dhe në përputhje me kulturën e sotme, me tendencat e sotme të tregjeve dhe me kuptimin e sotëm bazuar mbi rezultatet e sotme të shkencave për ndikimin dhe rolin e marijuanës në jetën e njeriut. Legjislacioni ynë penal që lidhet me marijuanën është më i ashpri në botë, mbushen burgjet me të rinj e të reja dhe kriminalizohet një target kaq i gjerë në shoqërinë shqiptare”- është shprehur deputeti Kokëdhima.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: