Incidenti i rëndë i regjistruar sot në Mamurras, ku mbeti i plagosur 23-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Leonard Dema, mund t’i kushtojë këtij të fundit shumë më tepër vite burg në Shqipëri sesa dënimi që e pret në Itali.

I ftuar në emisionin “Studio24”, avokati Arbër Hoxha ka bërë një analizë juridike të situatës pas përplasjes me armë mes dy të rinjve dhe Forcave Operacionale. Sipas avokatit Hoxha, veprimet e kryera gjatë tentativës për t’i shpëtuar arrestimit rëndojnë maksimalisht pozicionin e 23-vjeçarit përpara drejtësisë shqiptare.

Leonard Dema kërkohej nga autoritetet italiane për një tentativë vrasjeje, ngjarje për të cilën ishte dënuar me 7 vite burgim.

“Personi në fjalë, pas incidentit të sotëm, rrezikon shumë më tepër dënim për disa akuza të derivuara nga ajo që ndodhi sot, sesa dënimi për të cilin e kërkonte Italia, për një tentativë vrasje dhe i dënuar me 7 vite burg.”

Sipas avokatit, mbi 23-vjeçarin tashmë pritet të rëndojnë një sërë veprash të reja penale të cilat parashikojnë dënime të ashpra në Kodin Penal shqiptar, për shkak të rezistencës aktive dhe rrezikimit të jetës së uniformave blu.

-Armëmbajtje pa leje: Për armët e zjarrit që u gjetën ose u përdorën në mjet.

-Qitje në drejtim të policisë: Sulmi me armë ndaj forcave të rendit gjatë kryerjes së detyrës.

-Drejtimi i mjetit me pasoja: Tentativa për t’u larguar me automjet duke rrezikuar jetën e efektivëve dhe qytetarëve.

Me këto akuza të reja, procesi i ekstradimit drejt Italisë pritet të ndërlikohet, pasi Dema fillimisht duhet të përballet me drejtësinë shqiptare për ngjarjen e Mamurrasit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb