Tension e sherr  në dyert e bashkisë Durrës është regjistruar paraditen e sotme, kur shumë qytetarë prisnin të takoheshin me kryebashkiaken Emiriana Sako.

Të pastrehët e tërmetit vijojnë të enden dyerve të institucionit të qeverisjes vendore, pasi mos dhënia e bonusit të qirasë dhe mos garantimi i një banese të sigurt i ka lënë në mes të 4 rrugëve. Sinkrone

“Kemi dy vite pa bonus, po paguajmë qiratë nga 300-400 mijë lekë. Pronarët e shtëpive ku rrimë me qira po na zbojnë nga banesa, sepse s’kemi mundësi ekonomike të paguajmë. Ku është zgjidhja? As nuk na presin brenda në bashki”.

“Ne po vdesim rrugëve, nuk kemi asnjë lloj shprese. Po e lajmë qiranë nga pensioni, po vetëm të na japin një shtëpi”,- deklaruan qytetaret.

E ndërsa 2500 familje të Durrësit prej 10 muajsh nuk marrin subvencionimin e qirasë, 100 familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian prej 6 muajsh nuk u kalon bonusi i strehimit i akorduar nga bashkia.

Ata kanë zhvilluar një takim me nënkryetarin e bashkisë, ku kanë parashtruar ankesat e tyre.

“Nënkryetari na tha lidhur me bonusin 50% me 50% për komunitetin rom dhe egjiptian dhe familjet vunerabël të Durrësit se të hënën do të na japë një zgjidhje përfundimtare për problemin”,- thotë Ismail Jakupi, përfaqësues i komunitetit rom dhe egjiptian në Durrës.

“Ka 2 javë që po na gënjejnë, do t’i hedhim të hënën, do t’i hedhim të premten. Pronarët e shtëpive kërkojnë lekët e tyre, ne nuk kemi t’ua japim”,– tha një anëtare e komunitetit egjiptian.

E marta e javës së ardhshme do t’i gjejë sërish para bashkisë, nëse premtimi i dhënë sot nuk përmbushet.

“Do vrasim veten nëse nuk na i japin lekët, se nuk kemi ku të shkojmë. Mirë se po na nxjerrin jashtë, por të paktën të paguajmë borxhin”,– deklaroi një qytetare, që kërcënon me veprime ekstreme nëse nuk marrin paratë.

Prej 5 vitesh, 100 familje të komunitetit egjiptian dhe rom trajtohen nga bashkia Durrës me bonus strehimi për t’u lehtësuar disi vështirësitë ekonomike këtyre kategorive në nevojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: