Turi elektoral i ditës së sotme për Partinë Socialiste ka nisur nga qyteti i Peqinit.

Kryeministri Edi Rama, në një bisedë me banorët që kishin dalë ta prisnin, pavarësisht shiut që binte, pranoi se për Peqinin nuk janë bërë aq sa duhet.

Ai shtoi se qeveria ka krijuar lehtësira për fermerët, por gjatë mandatit të ardhshëm do të rikonstruktojë kalanë, në mënyrë që në qytet të vijnë turistë, si dhe do të transformojë qendrën e qytetit. Rama tha ndër të tjera, se peqinasit nuk duhet të kthehen pas, e të votojnë për opozitën.

“Peqini në këto zgjedhje ka një mundësi që se ka pasur ndonjëherë, sepse në këto zgjedhje do të çoje dy çuna të vetët në Parlamentin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, nuk dua t’iu mbaj gjatë në shi, por dua vetëm t’iu them që jam i vetëdijshëm që për Peqinin ka shumë për të bërë dhe ndërkohë që të gjithë ata që në këtë bashki merren me tokën, e kanë ndjerë mbështetjen tonë dhe janë çliruar nga barra e shpenzimeve. Të tjerët presin dhe me të drejtë presin më shumë. Ne duam që Shqipërinë ta fusim në ligën Evropiane të turizmit. Do thoni ju, ku hyn Peqini këtu?

Hyn, sepse do të bëjmë që Peqini të hy në hartën e turizmit, sepse ka një kala fantastike që duke ndërhyrë, duke u restauruar në një vend që do të vizitohet nga të gjithë, do të sjellë jo pak njerëz, por të ardhura për njerëzit këtu. Kjo do të bëjë që ekonomia jonë do të marrë një shtysë tëre dhe do të jetë një vlerë e shtuar në Peqin. Do mbështesim me gjithë forcën të rinjtë dhe të reja, që të hynë në gjuhën e kompjuterit. Të gjithë kanë një celular, por duke i futur në rrjetin e kurseve të edukimit me gjuhën e kompjuterit ne do të mundësojmë që ata të kenë punën e tyre dhe të futen në tregun e madh global. Tjetra që besoj është e rëndësishme, edhe brenda Peqinit kemi bërë punë të mira, por patjetër që do të transormojmë sheshin qendror të Peqinit, duke e kthyer në një pikë të rëndësishme referimi për ato që i vizitojnë.

Këtu ka shumë familje që kanë shkuar në emigracion, por këtu kanë gjyshin, tokën. Ne do të ndihmojmë këta të rinj që të hapin shtëpinë e babës dhe ta kthejë ato në bujtinë. Ne do të ofrojmë 5 mijë euro për këto dhe do i japim amnisti, duke bërë që të ketë më shumë të ardhura se jashtë shtetit. Në Peqin dhe në Elbasan kemi sfidën të realizojmë fitore shembullore, kuptimplotë, që të jetë rezultat i këtij shiu paralajmërues të kthyer në breshër në kutinë e votimit. Kutitë janë momenti më i rëndësishëm për popullin, sepse shihet do të ngjitemi para apo do kthehemi mbrapa. Nuk do lejojmë të kthehesh tek Dash Sula, pasha Zotën. Por nuk kthehesh prapë as tek Basha, Saliu, Mona e Lika, sepse ato e duan Shqipërinë për vete, ne e duam për Shqipërinë. Më 25 prill të marrim një vendim të qartë, ta bëjmë shtëpinë të ardhmen tonë, të bashkuar nuk ka gjë që na ndal. Ne nuk na ndali dot tërmeti, virusi, nuk na ndal asgjë në rrugën tonë”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: