Së paku 29 civilë kanë humbur jetën në një sulm të rebelëve me raketa në provincën qendrore Marib të Jemenit, bëri të ditur qeveria.

Dy raketa balistike goditën të dielën vonë një lagje banimi në rrethin Al-Jubah, në jug të Maribit, theksuan në një deklaratë autoritetet lokale në Marib.

Në deklaratën nuk jepen detaje të mëtejshme dhe nuk ka asnjë koment nga grupi rebel Houthi mbi pretendimin.

Të enjten, qeveria jemenase akuzoi rebelët Houthi për vrasjen e 13 civilëve në një sulm me raketa në rrethin Al-Jubah në Marib.

Që nga shkurti, rebelët Houthi të lidhur me Iranin kanë shtuar sulmet për të marrë kontrollin e provincës Marib të pasur me naftë, një nga bastionet më të rëndësishme të qeverisë legjitime dhe shtëpia e selisë së Ministrisë së Mbrojtjes së Jemenit.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb