Pas shkarkimit të Hansi Flick, kombëtarja gjermane është në kërkim të një zëvendësuesi. Për momentin, skuadra i është besuar Rudi Voeller, në pozicionin e drejtorit sportiv, por së shpejti Federata do të emërojë një trajner të ri.

E përditshmja britanike “Daily Mirror”, shprehet se drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit kanë kontaktuar trajnerin e Liverpool, Jurgen Klopp. Nuk dihet ende nëse trajneri gjerman ka pranuar ofertën apo jo, por ka gjasa që Klopp të marrë detyrën pas Euro 2024.

Kjo do të thotë që Federata të emrojë një trajner provizor deri në Europian dhe më pas t’ia besojë këtë detyrë Klopp. Gjithsesi, te Liverpool nuk e kanë pritur mirë këtë telefonatë dhe kanë frikë nga largimi i trajnerit gjerman, që mund ta “zërë mat” klubin. Klopp ka qenë fundjavën e kaluar në Mainz të Gjermanisë.

Kandidati më i fortë mbetet Julian Nagelsmann, pa skuadër pas largimit nga Bayern Mynih, por Federata nuk dëshiron të nxitohet në zgjedhjen e saj. BILD” raporton se Julian Nagelsman konsiderohet favorit për të pasuar Flikun.

Megjithatë ka një problem. Sepse trajneri i shkarkuar nga stoli i Bayern vetëm në mars të këtij viti, duhet ende që të zgjidhë kontratën e tij me klubin kampion, e cila është ende në fuqi dhe ai paguhet prej saj.

Gjithçka pritet që të zgjidhet, por nëse nuk do të mbërrihet tek ai, një tjetër kandidat që “BILD” rendit është edhe Oliver Glasner, ish-trajneri i Eintracht Frankfurt, i cili aktualisht është gjithashtu pa skuadër.

“BILD” përmend edhe emra të tjerë periferikë. Luis van Gaal (72) ende nuk e ka përfunduar karrierën e tij. Ai ka thënë për “SPORT BILD”: “Unë normalisht nuk stërvis më një klub, por një pozicion joshës ka ende një shans për të më bindur”. Gjithsesi, jo më larg se kjo fundjavë, holandezi tregoi betejën e tij me tumorin dhe faktin se duhet të luftojë me sëmundjen e rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb