Ish-ministri socialist Arben Malaj ka reaguar ashpër ndaj qeverisë socialiste, duke e kritikuar për mënyrën e menaxhimit të situatës dhe për skandalet e fundit të korrupsionit në vend.
Duke iu referuar njoftimit të SPAK për sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 40 milionë euro, që lidhen me ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, si dhe biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, Malaj theksoi se ky nuk është një rast i izoluar.
Sipas tij, ekzistojnë edhe çështje të tjera që tregojnë probleme serioze në qeverisje, duke e akuzuar atë se është e ndikuar nga oligarkët dhe krimi i organizuar.
Malaj u shpreh se një pasuri e tillë nuk mund të krijohet përmes një pune në administratë shtetërore, duke e cilësuar këtë si reflektim të modelit aktual të qeverisjes. Ai kritikoi gjithashtu reagimin e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar të papërshtatshëm në raport me situatën.
“Të gjithë kanë pasur shpresë për një qeveri më të mirë. Tani, 40 mln euro, nuk ka arritur askush që me punë shteti të bëjë këtë pasuri. Ky është modeli i qeverisjes, qeveria është e kapur. Jo vetëm nga oligarkët, por edhe nga krimi i organizuar. Nëse del ky lajm dhe kryeministri vijon e flet, kjo është papërgjegjshmëri. Ai duhet të vinte këtu”, tha Malaj.
Në vijim, ish-ministri solli në vëmendje edhe çështjen e subvencioneve në bujqësi, duke e cilësuar një tjetër problematikë, pasi sipas tij fermerët janë penalizuar, ndërkohë që përfitime u janë dhënë sektorëve të tjerë, si furnizimi me karburant për mjete luksoze.
Në përfundim, Malaj deklaroi se qeveria ka humbur besimin publik dhe se, sipas tij, zgjidhja e parë në këtë situatë mbetet dorëheqja e kryeministrit.
“Dhe në kulmin e papërgjegjshmërisë, i heq fermerëve karburantin dhe subvencionin ndërkohë që i jep jahteve naftë me 600 lekë litri. Ka disa gjëra qeveria që po t’i mbledhës së bashku i ka humbur kredibiliteti publik., Se si ndërtohet kredibiliteti publik, për mua, e them prapë, hapi i parë është dorëheqja e kryeministrit”, u shpreh ai.
