Çdo vit, me afrimin e Nobelit, mes emrave pretendentë për ta fituar është shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare. Edhe këtë vit, sipas faqes britanike “Nicer Odds”, ai është ndër favoritët, ndërsa nga çasti në çast renditja ndryshon duke e nxjerrë gjeniun e letrave shqipe herë në vend të katërt e herë në të pestin. Fituesi i çmimit “Princi i Asturias”, apo “Man Booker Prize”, herë pas here në faqet e “The Guardian” e mediave të tjera të mëdha të Perëndimit për letërsinë e tij, Ismail Kadare lakohet sërish përkrah emrave si Haruki Murakami, Philip Roth, Adonis, Amos Oz. I krahasuar me Kafkën dhe shkrimtari më i njohur e më i suksesshëm shqiptar, vepra e tij është përkthyer në 45 gjuhë të botës. Sivjet, në 80-vjetorin e lindjes së tij, shtëpia ku kaloi fëmijërinë është hapur si muze, ndërsa Ministria e Kulturës e ka shpallur 2016-ën, vitin e Kadaresë.

Ndër titujt më të njohur të Kadaresë janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”, “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, etj. Gjatë javëve në vijim, anëtarët e Akademisë së Suedisë mblidhen për të vendosur se për kë do të shkojë çmimi i madh Nobel, që do të shpallet në muajin tetor. Vitin e kaluar, çmimi shkoi për Svetlana Aleksijevitj.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb