Kandidati për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, ka vlerësuar punën e SPAK gjatë seancës dëgjimore në Senatin amerikan, duke e cilësuar SPAK-un një institucion “jopolitik, të pavarur dhe të suksesshëm”.
Gjatë dëgjesës, një prej anëtarëve të komitetit vlerësoi krijimin e SPAK si një nga shembujt më të mirë të ndihmës amerikane në Shqipëri, duke theksuar sukseset në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të niveleve të larta.
Senatori pyeti kandidatin amerikan se çfarë roli mund të luajë SPAK në përmirësimin e klimës së investimeve në Shqipëri.
Në përgjigjen e tij, Wendt deklaroi se nga të gjitha informacionet që ka lexuar dhe nga vizitat e mëparshme në Shqipëri, SPAK ka dëshmuar profesionalizëm dhe pavarësi.
“SPAK, nga çdo gjë që kam lexuar, ka qenë një organizim apolitik, i pavarur dhe i suksesshëm”, deklaroi ai.
Wendt theksoi se prokurorët e SPAK-ut i nënshtrohen një procesi të fortë verifikimi, duke përfshirë vettingun, testet me poligraf dhe monitorimin nga partnerët ndërkombëtarë.
“Prokurorët që shkojnë në SPAK kryejnë vetting të rëndësishëm, edhe poligraf. Ata monitorohen nga SHBA dhe europianët. Kanë trupën e tyre hetimore, BKH-në, prokurorët specialë dhe gjykatat speciale”, u shpreh kandidati për ambasador.
Ai shtoi se, nëse konfirmohet në detyrë, do të mbështesë operacionet e SPAK-ut, duke nënvizuar rëndësinë që ky institucion të mbetet i pavarur dhe jashtë ndikimit politik.
“Puna e tyre është kritike për sa kohë mbeten të pavarur dhe jopolitikë. Kjo ndikon edhe në klimën e biznesit, rrit transparencën dhe ndihmon bizneset amerikane në Shqipëri duke balancuar situatën”, deklaroi Wendt.
Kandidati për ambasador përmendi gjithashtu bashkëpunimin mes SPAK dhe autoriteteve amerikane, duke theksuar se shkëmbimi i informacionit ka qenë transparent dhe ka çuar në procedime penale ndaj personave të përfshirë në aktivitete kriminale, si në SHBA ashtu edhe në operacione ndërkombëtare kundër trafikut të drogës.
