Shumë marka të njohura ndërkombëtare kanë vendosur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës të pezullojnë shitjet e produkteve të tyre në Rusi. Të shumta kanë qenë reagimet e rusëve kundër këtij vendimi, madje shumë blogere të njohura shkatërruan live në rrjetet sociale çantat e tyre të markave më prestigjioze.

Ndëshkimi i këtyre markave nuk mbeti vetëm këtu, së fundmi Rusia po planifikon ligjin për të sekuestruar asetet e firmave perëndimore që përpiqen të largohen për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ligji, i cili mund të hyjë në fuqi brenda pak javësh, do t’i japë Rusisë kompetenca për të ndërhyrë aty ku ka një kërcënim për vendet e punës ose industrinë lokale, duke e bërë më të vështirë për kompanitë perëndimore heqjen e shpejtë të bizneseve të tyre, nëse nuk janë të përgatitur për të marrë një goditje të madhe financiare, shkruan BBC.

Ndër kompanitë elitare, për të cilat pritet të merren masa ndëshkimore janë Starbucks, Coca Cola, Levi’s dhe Apple, të cilat janë larguar nga Rusia ose kanë pezulluar shitjet në Rusi që prej shkurtit të këtij viti.

Ky pojekt-ligj i ndërmarrë nga shteti rus vjen si pasojë e sanksioneve shtrënguese të Perëndimit, gjë që e ka zhytur Rusinë drejt inflacionit dyfishor

Burimi: BBC
(BalkanWeb)