Nga: MENTOR KIKIA*
Deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Eduart Ndocaj, nuk ka bërë asgjë për t’u vënë në qendër të vëmendjes së medias. Ai thjesht mban kapele ‘kauboji’, dhe ashtu si ata që mbanin ndonjë tatuazh para viteve ‘90, u identifikua dhe mori certifikatën e të “veçantit”. Në fakt, jo për fajin e tij, media e targetoi atë si përfaqësuesin tipik të paaftësisë politike dhe të njeriut-biznesmen që ka paguar para për të qenë në listën e kandidatëve, edhe pse pa asnjë shpresë për t’u bërë deputet. Me pak fjalë, media e mori Ndocajn dhe e bëri dordolecin e politikës. Si asnjëherë më parë, një deputet brenda një jave u ftua në të paktën 4 studio televizive dhe asnjëri nga moderatorët nuk e kishte marrë seriozisht bisedën. Madje, ata e kishin ftuar Ndocajn për të bërë një dorë gallatë në studio, edhe pse nuk e kanë të tillë formatin e programit. Duke e ditur se ai s’ka asnjë përvojë në politikë, ata e pyesnin:
Si do ta luftosh ti korrupsionin?
Cila do të jetë nisma e parë ligjore që do të ndërmarrësh?
Si do ta ndihmosh ti popullin e varfër të zonës tënde?
Ç’mendim ke për politikën shqiptare?
Ç’mendim ke për qeverisjen e deritanishme?
Mund të na tregosh pak për nivelin e arsimimit?
Edhe në gazeta kishte shpërthyer ironia e madhe. “Kauboji hyn në Parlament”! Një ditë pas seancës ku Ndocaj bëri betimin, gazetat kishin të gjitha në faqe të parë foton e Ndocajt, me dhe pa kapelën e famshme. Komentatorët vunë kujën, duke thënë se ‘ky është fundi, shikoni kush hyri në Parlament’. Dikush ironizonte duke thënë se, ‘ja kush është pasardhësi i Fan Nolit apo Sabri Godos’. Ndërsa Jozefina Topalli, që në krah ka Mhill Fufin, iu drejtua tërë fodullëk Ndocajt, duke i thënë: ‘Shko mër aty, se s’ke asnjë lidhje me politikën’.
Me pak fjalë, punëtoria e medias u ra kambanave se Ndocaj na kishte fëlliqur tërë racën dhe sojin tonë, aq më shumë i kishte prishur imazhin kësaj politikës sonë, saqë tani jemi bërë gazi i botës.
Ai nuk ka ngurruar ta pranojë e tregojë se ka paguar 500 mijë euro në Partinë Socialiste dhe ka hyrë në bursën e kandidatëve, duke kapur një vend të pashpresë në listë, por rasti e deshi që pararendësit e tij në listë të qëllojnë shumë më zi se ai, dhe si papritur, ai bashkë me kapelën e tij emblematiko-problematike u gjendën te dera e Parlamentit. Pra, ai nuk është deputet për faj të tij. Nuk kam asnjë dyshim që është bash mu në palcën e përfaqësimit më dinjitoz të kësaj palo politike, por tani dua të merrem pak me racën tonë të punëtorisë së medias, që u alarmua nga kapelja e Ndocajt.
Mendoj se media targetoi gabimisht Ndocajn për ta bërë dordolecin e politikës. Ose më saktë, i ra më shkurt, sepse me të tjerët nuk ia mban, ndërsa Ndocaj doli vullnetar të ishte tabela e qitjes. Moderatorëve që intervistuan Ndocajn, unë dua t’u bëj disa pyetje:
A e dini sa deputetë në Parlament nuk e kanë hapur gojën asnjëherë?
Sa prej tyre nuk kanë shkollë, apo e kanë mbaruar të mesmen pas së lartës?
Sa projektligje janë propozuar gjatë kësaj legjislature nga deputetë të veçantë apo grupe deputetësh dhe cilat janë këto projektligje?
Sa burra janë tregtarë tullash, xhamash, ndërtues pallatesh dhe që janë aty pse kanë paguar “taksën” e kryetarit për të hyrë në lista?
Sa gra janë aty, sepse janë gratë e burrave tregtarë?
Sa deputetë ka që nuk ua dinë emrin as në zonat ku me demek janë zgjedhur?
Sa deputetëve u jeni drejtuar drejtpërdrejt, për t’i pyetur se si po e luftojnë apo si mendojnë ta luftojnë korrupsionin?
Sa deputetë janë të inkriminuar?
Sa deputetë i kanë bërë paratë me evazion fiskal?
Mund të bëj pa fund pyetje të tilla, por mjaftojnë këto për të treguar se sa e paaftë, selektive, frikacake dhe klienteliste ka qenë media deri tani për të nxjerrë në pah se çfarë pasuesish kanë Fan Noli dhe Sabri Godo.
Ndocaj ka emigruar kur ka qenë 19 apo 21 vjeç, ka punuar, dhe sot ka krijuar një kompani të suksesshme ndërtimi në Itali dhe Shqipëri. Nuk ka asnjë raport deri tani se ai është marrë me trafik droge, shfrytëzim prostitutash apo që ka vrarë e marrë peng ndokënd për t’i grabitur paratë. Dhe këtu ai rezulton se është më i hairit se të paktën gjysma e deputetëve në atë sallë. Dhe kjo është më e rënda në tërë këtë histori ndociane. Ai është një nga ata sipërmarrës që, ca nga dëshira e ca nga joshja (nuk ka njeri të pasur që nuk e ka futur në listë politika, e cila nuk pyet për nivel intelektual apo arsimim, por vetëm për para), u fut në një garë elektorale duke mos qenë më i keqi, madje ishte më i mirë se shumica e atyre që ishin në listën e qarkut të tij. Ai ishte i sinqertë edhe kur u pyet se përse e mori mandatin e PS-së kur ka kritikuar qeverisjen e Ramës: “Që të mos e merrte LSI-ja; do të ishte më keq”.
Përfundimisht dua të them se Ndocaj nuk është delja e zezë e politikës sonë. Kjo edhe për faktin se delja e zezë bie në sy kur është e vetmja në një kope të bardhë, dhe jo në një tufë ku shumica janë të zeza. Të tjerët e kanë gjetur zgjidhjen, nuk e hapin gojën dhe shtojnë pasuritë e vetëm ngrenë kartonin kur u thonë. Ndërsa Ndocaj shkoi si cjapi te kasapi, meqë media i shtroi një tapet të kuq ku ai të parakalojë me kapele ‘kauboji’.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: