Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të martë inspektorin e Gardës së Republikës, Dashamir Kurti, 44 vjeç. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “shpërdorim i detyrës dhe kanosja”.

Sipas njoftimit të SHÇBA, punonjësi i gardës është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me klientët dhe pronarin e një lokali në rrugën “Elez Isufi” në Tiranë dhe më pas i ka kërcënuar ato me armën e shërbimit.

Ka qenë ndërhyrja e klientëve dhe e pronarit të lokalit ajo që ka parandaluar një tragjedi, pasi kanë mundur që të neutralizojnë në kohë inspektorin. SHÇBA njofton më tej se hetimet mbi këtë rast po vijojnë.

Njoftimi i SHÇBA:
Sot, më datë 15.02.2022, ora 17:30, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë arrestoi në flagrancë punonjësin e Gardës së Republikës, Inspektor Dashamir Kurti, 44 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Kanosja”, parashikuar nga nenet 248 dhe 84 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se rreth orës 12:10, punonjësi i Gardës së Republikës, Dashamir Kurti, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me klientët dhe pronarin e një lokali në rrugën “Elez Isufi” në Tiranë, të cilët i ka kanosur me armën e shërbimit, në shpërdorim të detyrës.

Nga hetimet paraprake rezulton se Dashamir Kurti, duke qenë jashtë shërbimit, ka konsumuar pije alkoolike në ambientet e lokalit dhe më pas është konfliktuar me klientët dhe pronarin e lokalit, të cilët kanë arritur t’i heqin armën nga dora duke e neutralizuar.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga punonjës të Gardës së Republikës, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb