Kanë zgjatur më shumë se 9 orë negociatat për Reformën Zgjedhore mes palëve politike në Shqipëri, të zhvilluara një ditë më parë në rezidencën e ambasadores amerikane Yuri Kim, nga ku duket të ketë pasur më shumë afrime, por jo zgjidhje përfundimtare.

Megjithatë, dita e sotme pritet të jetë vendimtare për një marrëveshje. Gazetari i News 24, Ergys Gjencaj bëri me dije detaje të reja të mbledhjes që do të mbahet sërish sot në rezidencën e ambasadores amerikane. Pritet tha ai, që nga mbledhja e Këshillit Politik, që do të nisë rreth orës 11:00 të ketë më në fund një shenjë pozitive.

Një ditë më parë bashkë me ambasadoren Yuri Kim, ishin edhe ambasadorët e Bashkimit Europian, Luigi Soreca, Britanisë së Madhe, Duncan Norman dhe përfaqësuesit të OSBE-së.

Ambasadorët nuk kërkojnë asgjë më shumë nga palët se sa respektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Sipas gazetarit Gjencaj, ngërçi kryesor ku palët ende nuk kanë gjetur dakorëdësi është administrata zgjedhore.

“Maxhoranca është për depolitizim të plotë të komisioneve zgjedhore, kurse PD kërkon më shumë garanci. Nëse aplikohet 100% identifikimi biometrik në komisone është dakord të jenë të depolitzuara por kërkon vëzhgues, nga ana tjetër PD kërkon që nëse ka identifikim biometrik të pjesshëm, KZ-të të jenë me përfaqësi politike”,- sqaroi ai.

Nuk dihet ende nëse do të arrijnë palët në një marrëveshje. Ajo që dihet është fakti se një ditë më parë të tre diplomatët evunë theksin të ndikimi që marrëveshja për reformën zgjedhore pritet të ketë për procesin e integrimit europian të vendit dhe vendimet që Brukseli do të marrë së afërmi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: