Ky roman, në fillim, lindi si novelë. Tani po e botoj të plotë, në dy pjesë. Pjesa e parë, botuar nga Korbi (2004) dhe ribotuar nga ‘Toena’ (2014), nuk ka asnjë ndryshim. Pjesën e dytë e shkrova mbas 12 vitesh, sepse e ndjeva që këtë vepër e kisha lënë të paplotësuar.

Romani zhvillohet në një 10-vjeçar, gjatë viteve 1992-2002, një nga dhjetëvjeçaret më të rëndësishëm dhe dramatikë në historinë e Shqipërisë. Ngjarjet në pjesën e parë zhvillohen midis viteve 1992 deri më 1997, me rrëzimin e piramidave. Pjesa e dytë e romanit përfshin periudhën 1997-2002”. Kështu e shpjegon Maks Velo romanin e tij “Klubi i Karavasta”, botim i UETPRESS që promovohet sot.

Maks Velo lindi në Paris, më 31 gusht 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi fëmijërinë. Pasi mbaroi gjimnazin, vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e inxhinierisë së ndërtimit. Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Vite më vonë punoi pranë byrosë së projektimit të Tiranës.

Vitet ‘78-‘79 përkojnë me periudhën më të vështirë të jetës së tij, kohë kur u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg. Maks Velo është autor i një sërë botimesh, si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj. Është një ndër figurat më të kompletuara si artist, pasi krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

Pjesëz nga libri – Mund të të duket e çuditshme, por unë analizën e komunizmit e bëj me shishen e qumështit. Kjo ka mbetur e palëvizur brenda meje për pesëdhjetë vjet. Nëse komunizmi do të kish zgjidhur prodhimin e qumështit, besoj se do kish triumfuar. Por nuk e zgjidhi dot dhe dështoi. Në fakt këtë metodë, sado joshkencore që mund të duket, e caktoi vetë jeta. Unë isha një figurë e vogël në tërë këtë histori, një dëshmitar i rastit.

Për mua komunizmi filloi dhe mbaroi me luftën për një shishe qumësht. Kishim ardhur nga Korça në Tiranë aty nga fillimet e viteve pesëdhjetë. Komunizmi ish akoma lehonë. Banonim në MUSKATET, në ca si pallate të vegjël, me qerpiç, tip jugosllav i thoshin. Ishin pesë pallaçina të vogla dykatëshe në dy rreshta. Kur shkoja para vilave të Aviacionit ndërtuar nga italianët, kuptoja ndryshimin e madh. Bulevardi lëshonte një avull përvëlues.

Po ecja nga fundi i tij drejt qendrës rrethuar me godina veshur me travertin, ndërtuar nga italianët në vitet dyzetë. Pishat anës trotuarit formonin një kupolë horizontale. E gjithë hapësira ngjasonte si një dekor fashist. Në dorën e djathtë bidoni dylitërsh prej alumini tundej lehtë se ish bosh. Ato ishin Fashizmi, me mermer; këto ishin Komunizmi me qerpiç.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb