Koha për rrëfim” e Kadaresë ka mbërritur, pa u ndier. Butësisht, kësaj radhe, në dialog me Aldën e librave dhe leximit. Është ky edhe një nga titujt më të rinj në librari, këto kohë të mbingarkuara me politikë zhurmëmadhe kandidatësh për deputetë. Përkundruall tambureve të fushatës elektorale në prag, thirrja e rrëfimeve të shkrimtarit ngjan me jehonën e largët të një këmbane, që pikërisht duke i ikur realitetit, të sjell në vete: të ndërmend të shenjtën përballë profanes, të magjishmen përkundrejt banales. Libri “Kohë për rrëfim, Kadare në dialog me Alda Bardhylin”, botim i Onufrit, është fiks në kohë për të na shërbyer si arratisje nga një atmosferë mbytëse që na ka rrethuar. Ndofta kjo është edhe arsyeja për ndjesinë e shpagimit që të krijon leximi i rrëfimit, si një mënyrë për t’ia rikthyer kohën e vjedhur letërsisë.

Rrëfimi i Kadaresë nuk mund të kuptohet e as të lexohet jashtë letërsisë së tij. As edhe kur vjen në formën e një dialogu me një studjuese letërsie. E grishur nga letërsia, Alda është në këtë libër një bashkë-krijuese skrupuloze, pyetjet e së cilës janë shpesh vijim i përgjigjeve dhe krijojnë një rrëfim të rrjedhshëm. Tregimi i shkrimtarit është, nga ana tjetër, në lartësinë e letërsisë së tij. Madje shpesh të krijon përshtypjen se është letërsi, pasi ngjan më tepër si letërsi ose krijim sesa si kujtesë apo zbulim ngjarjesh. Është e qartë tanimë që Kadare rrëfen sikurse edhe shkruan, në mënyrë krijuese. Nuk janë faktet e thata të jetës ato që e tërheqin, por sublimimi i tyre. Të treguarit shkujdesur apo zhveshur, në mënyrë gazetareske, si kronikë e të zakonshmes, thjesht nuk janë repertor i tij. Rrëfimi është kësisoj i veshur me atë tërheqjen e fshehtë, misterin dhe mjegullën, që konfidon se ka qenë edhe ankthi më i madh i jetës së tij si shkrimtar. Pyetjes në lidhje me këtë ankth, ai i përgjigjet pikërisht kështu: [ankthi im ishte] “të shkruaja gjëra që nuk kishin mister, që nuk kishin tërheqjen e fshehtë, që nuk kishin mjegull t’i mbështillte. E, për fat të keq, të gjitha ato që sugjeronte letërsia jonë [e asaj kohe] ishin të tilla, sterile. Shpirti im ishte krejtësisht i ftohtë daj tyre”.

Duket se të rrëfyerit pa mister i është po aq i padurueshëm. Për letërsinë shprehet se i nevojitet hera herës një lloj “pakuptueshmërie” e qëllimshme, ashtu si edhe shkrimtarit një tis mjegulle, në formën e enigmës, e cila e ka rrethuar edhe atë me magjinë ose legjendën e shkrimtarit si një lloj “gurgullime popullore” rreth atij vetë, veprës por edhe jetës së tij. Mugëtira është tërheqëse për të, ndërsa sipas përshkrimit të Aldës, kishte raste kur biseda zhvillohej në gjysmë errësirën e mbrëmjes që binte, pasi Kadaresë i pëlqente të rrinte në errësirë. Vetë shkrimtari nuk pretendon asnjëherë të kundërtën, rrëfimin përfundimtar, të plotë, pasi sipas tij t’i thuash të gjitha nuk është as e mundur dhe ndofta, as e nevojshme. Artin e veshjes me mister ai e zotëron si rrallëkush dhe rrëfimin e tij e përshkon gjithashtu ky tis mjegulle, si një lloj strategjie për të mos rrëfyer kurrë në mënyrë të rëndomtë. Mirëpo rrëfimi i stilizuar nuk ia zbeh forcën zbulimeve apo qëndrimeve krejt vetjake, madje e rrit peshën e tyre, si atëherë kur shprehet fare pa modesti që: “Shqipëria nuk e mbante dot mbi shpatulla barrën e rëndë për një shkrimtar të njohur mbi përmasat e saj”, pavarësisht se kjo mund të jetë e diskutueshme. Aty ku më pak pritet, shkrimtari vetë-zbulohet në qëndrime apo konsiderata personale e subjektive, duke befasuar me drejtpërdrejtësinë apo kërkimin e thelbit autentik dhe të vërtetës. Rrëfimi ka befasi të tilla të panumërta për ngjarje, zhvillime dhe personazhe, por duke iu referuar mungesës së hapur të modestisë së përmendur më lart, shkrimtari arsyeton se: “Unë kisha një aversion ndaj modestisë, ndoshta ngaqë e lidhja me shtypjen. Modestia sipas meje ishe shpikja më e madhe e komunizmit për të justifikuar shtypjen e shkrimtarëve: thirrjet për modesti, thirrjet për respekt të populit, që ”ne s’jemi gjë që, populli është gjithçka”.

Ky dialog i Kadaresë me Alda Bardhylin është një ftesë e dytë në studion e shkrimtarit. Të atij shkrimtari ose krijese në zhdukje, që të vetmin identitet ka pikërisht të qenit shkrimtar. Mund të jetë i fundmi ose ndër të fundmit e kësaj tradite. Identiteti i palëkundur si shkrimtar është i vetmi që ai shpërfaq në rrëfim, në mënyrën më klasike, larg mbivendosjeve të identitetve që janë karakteristikë e modernitetit të vonë apo post-modernitetit. Madje edhe pyetjes nëse ishte vërtet i lumtur, Kadare nuk i përgjigjet nga një kënd i thjeshtë njerëzor, si baba apo si bashkëshort, por si shkrimtar kur thotë se “fatkeqësia më e madhe që mund të më ndodhte ishte ndalimi i veprës sime”, apo kur shtjellon në mënyrë letrare frikën nga vdekja duke u shprehur se asaj i shpëton si shkrimtar, pasi vetëm si i tillë e ka të mundur të pohojë që “vdekja është jeta jote pa praninë tënde në botë: që shumica e njerëzve nuk e kanë”. Në mënyrë autentike, forcën për t’u përballur me komunizmin rrëfen gjithashtu se ia jepte letërsia, madje edhe forcën për të jetuar e merrte prej saj, kur shprehet se: “Kisha shumë besim te letërsia. Sa herë botoja diçka, përtëritesha dhe mbushesha me një forcë gati magjike, të mbinatyrshme. Çdo herë që shkruaja ngjallesha në një ditë të vdekur. Ngrihesha në mëngjes, i ndërgjegjshëm se jeta jonë është e përkohshme, një vdekje që po jetojmë, dhe sapo shkruaja ato faqet që duhej të shkruaja, pa e menduar, isha i bindur se e kisha mposhtur atë vdekje. Kisha një gëzim kaq të madh, të vërtetë e të përjetshëm, sa nuk e nënshtronte dot asgjë. Çdo ditë më ringjallte letërsia… Unë bëja atë që do të bëja nëse do të isha gjallë, edhe pse isha “i vdekur”. Kjo ishte në kokën time. Jetoja si në Ferrin e Dantes. Unë me këtë e riafirmoja ngjalljen time.”

I organizuar në disa tema kryesore si Kohët e shkrimit, Moska, Raporti me Enver Hoxhën, Largimi nga Shqipëria, Lidhja e shkrimtarëve, Kina apo Mehmet Shehu, rrëfimi prek megjithatë shumë më tepër çështje dhe personazhe sesa premton tabela e përmbajtjes. Tema e pushtetit është njëra prej tyre, si pjesë e padashme e letërsisë, duke e krahasuar pushtetin me krimin jo vetëm në veprën e tij letrare, por edhe në këtë rrëfim kur shprehet se “Etja për pushtet është një nga etjet më të këqija njerëzore. Është vetvetiu një etje negative, e cila çon në zhvillime negative për njeriun vetë, për të tjerët që e rrethojnë dhe për vendet që pësojnë këtë dramë që kalon nga populli në popull, nga shekulli në shekull në forma të ndryshme, por që thelbin e ka të njëjtë. Pushteti është afër krimit”. Në vijim të temës së pushtetit, në një pikë tjetër përgjatë rrëfimit, Kadare rimerr pyetjen që nuk i është ndarë për shumë vjet, se përse nuk është bërë president. Duke iu referuar një pohimi për këtë pyetje në një televizion francez, ai kujton se i është përgjigjur kështu: “Që të jem i sinqertë, ndoshta shkrimtari nuk është i përshtatshëm për këtë post. Shkrimtari është një njeri që punon i vetmuar krejtësisht, pa u këshilluar me askënd. Në letërsi kjo nuk quhet negative […] Ndërsa, nëse je në pushtet, ti duhet të këshillohesh më të tjerët. Nga ana tjetër, shkrimtari ka edhe një natyrë tiranike, nuk duron dot t’i ndërhyjë dikush […] Në letërsi ai nuk i bën dëm askujt me karakterin e tij, por në krye të shtetit, kjo sjellje e tij mund të dëmtojë vendin […] Shkrimtari është një tiran”.

Bardhyli ka arritur, jo pa vështirësi, duke ditur natyrën e kursyer të shkrimtarit, që të përftojë një galeri përvijimesh ose përcaktimesh të Kadaresë për personazhe që ka hasur apo njohur në disa kohë, që nga Sterjo Spase e Dhimitër Xhuvani, deri tek Dritëro Agolli e Todi Lubonja, si edhe Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Ramiz Alia, apo njerëz edhe më të rrallë si Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci apo Petro Marko, por edhe personazhe të tjerë të veçantë si Vedat Kokona e Mustafa Greblleshi, Dhimitër Shuteriqi, etj. Nuk mungojnë as vlerësimet apo përcaktimet për një listë të gjatë shkrimtarësh të disa kohëve, që nga Haki Stërmilli, Migjeni apo Koliqi, por edhe emra të tjerë si Eqrem Çabej, Jusuf Vrioni, Jakov Xoxa e deri tek Rexhep Qosja. Disa prej tyre i ka njohur dhe i përshkruan nga këndi i marrëdhënieve të drejtpërdrejta me ta, të tjerë nisur nga shkëmbime dhe episode publike, por përherë në mënyrë tërheqëse edhe pse të kursyer. Të tilla janë përshkrimet edhe për figura gati-gati enigmatike si Mitrush Kuteli, për shembull, një shkrimtar dhe kritik i njohur i kohës së vet, por të cilin gjithmonë e ndiqte mbrapa mosekzistenca: “Nuk diskutonte kurrë në mbledhje, nuk e merrte kurrë fjalën, As ai s’u drejtohej të tjerëve, as ata atij [… ]  Dukej sikur vetë ai kërkonte të mos flitej për të, të mos ishte i pranishëm në bisedat me njerëzit. Ishte i ngjashëm me shkrimtarët si Koliqi, etj., që ishin gjallë, por nuk ishin në Shqipëri, por në Perëndim”.

Ky rrëfim i vonë i Kadaresë përbën pa dyshim interes gazetaresk dhe publicistik, por ndoshta edhe më tepër studimor, sidomos për refleksionet dhe sugjerimet indirekte të shkrimtarit për studjuesit e letërsisë apo kritikën letrare, duke qenë se dialogu zhvillohet edhe në kontekstin e një rrëfimi kryesisht letrar dhe ndërmjet një shkrimtari e një studjueseje letërsie. I tillë është për shembull sugjerimi në lidhje me trajtimin e temës së dashurisë tek shkrimtarët shqiptarë, pasi ka sipas tij një lidhje ndërmjet biografisë e letërsisë, edhe pse shoqëria jonë mund të jetë ende e papërgatitur për “thashetheme të tilla që ngrihen mbi dinjitetin”. “Unë do të isha shumë kurioz të lexoja një tekst për dashurinë nga Ernest Koliqi… Koliqi nuk ishte i mënjanuar, dhe e dominonte jetën e vet dhe me siguri që ka pasur edhe histori dashurie. Ne nuk dimë asgjë. Dhe duket se nuk do të dimë kurrë, sikur ai e ka mbyllur portën e kësaj teme përgjithmonë”, – shprehet Kadare duke sugjeruar më tej edhe kërkime apo gjetje rreth jetës erotike të autorëve të tjerë si për shembull të Naim Frashërit. “Nuk kemi asgjë për jetën erotike të Naim Frashërit dhe ajo çfarë më habit është kritika. Si nuk kanë qenë asnjëherë kuriozë të shkruanin për gruan e Naim Frashërit, për të njohur gruan e poetit që shkroi poezinë “Bukuria”, që edhe për 200-300 vjet do të jetë ndër më të bukurat e letërsisë shqipe?”. Në fakt, vetë rrëfimit të Kadaresë nuk i mungojnë detajet nga jeta intime dhe ajo dashurore, jo vetëm asaj me gruan e tij, Helenën, por edhe ato më sporadike e të rastësishme, në faza të ndryshme të jetës, duke i përjetësuar në letërsinë e tij, në poezi ose në prozë.

Edhe pse nuk mungojnë, rrëfimet e dashurisë nuk përbëjnë sigurisht temë kryesore as në letërsinë dhe as në biografinë e shkrimtarit, ndërsa vetë letërsia duket se është kryetema e jetës së tij, ndjekur ndoshta nga tema e pushtetit dhe qëndrimit përballë tij të njeriut apo të shkrimtarit. Nuk e etiketon veten desident, edhe pse letërsia e tij mund të etiketohet pa dyshim e tillë. Jeta e tij mund të mos jetë ajo e një heroi, por loja e tij me pushtetin përmes letërsisë ngjan e tillë. Roli i tij në ndryshimin e regjimit diktatorial nuk ka marrë ndoshta vlerësimin e duhur, edhe pse ai nuk heziton të pohojë që një rol të tillë e ka synuar dhe e ka manifestuar me ikjen e tij të bujshme përpara zhvillimeve demokratike që pasuan, kur shprehet se “Kjo ka ndodhur në tetorin e vitit 1990, ndërsa në dhjetor ndodhi ndryshimi. Më pas filloi edhe ftohtësia ime me regjimin e ri, sepse filluan ato xhelozitë e vogla, themeluesi njëri, themeluesi tjetri dhe nuk e thonë që ikja e Kadaresë tundi regjimin e vjetër. Jam shkrimtar i njohur, s’ka ndonjë lavdi të madhe kjo, por për hir të së vërtetës nuk mund ta mohosh se ajo luajti një rol të rëndësishëm”. Është e pashmangshme kësisoj tema e diktaturës kur flitet për Kadarenë, qoftë si shkrimtar, qoftë si njeri publik. Në përmbyllje të këtij komentari të shkurtër për librin e Alda Bardhylit në dialog me Ismail Kadarenë, nuk mund të mungojë kësisoj një referencë e këtij të fundit për diktaturën, sikurse kjo temë nuk i mungon as rrëfimeve të tij në libër. Në konsideratën për rënien e papërfunduar të diktaturave, Kadare shprehet në mënyrë mjaft kuptimplote dhe aktuale se “Rënia e një diktature është e lehtë ta thuash, por është një nga gjërat më të komplikuara në botë. Njerëzit vetë e kanë të vëshirë të krijojnë kushtet për t’u çliruar prej saj. Kam përshtypjen se ne presim të na e bëjnë të tjerët”, duke aluduar përgjatë rrëfimit se megjithëse diktatura komuniste ka rënë, ka ende diçka prej saj të mbetur qoftë edhe në ndërgjegjien njerëzore.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb