Komiteti për çështjet ligjore i Këshillit të Europës, miratoi sot rezolutën e propozuar nga kryetari i PD, Lulzim Basha, për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Pas kësaj i hapet rruga Asamblesë së Përgjithshme për vendimin final. Në një mesazh nga Parisi, Basha tha se ky është një mesazh për këdo që bën agresion, se do të paguajë kostot financiare të shkatërrimit. Pak ditë më parë kërkuan përdorimin e aseteve ruse për nevoja të Ukrainës edhe Presidenti i SHBA, Joe Biden, dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në projektrezolutën e propozuar nga Lulzim Basha thuhet se “përgjegjësia për krimet dhe dëmet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë, është i presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe duhet te paguajë për të”.

Ndërkohë që Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arresti për Putin, duke e akuzuar për krime lufte, tashmë Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga bombardimet ruse.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Rusisë. Këto detyrime përcaktojnë detyrën e vendeve të treta për të garantuar që asetet sovrane të Federatës Ruse që ndodhen nën juridiksionet e tyre, të vendosen në dobi të Ukrainës si dhe për të krijuar një tribunal ndërkombëtar kompensimi për të siguruar që dëmet e shkaktuara nga Rusia të dëmshpërblehen në përputhje me normat ndërkombëtare, jurisprudencën dhe parimet e vendosura të kontabilitetit.

Përmes kësaj rezolute të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit te Europës, e cila është e mbështetur nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare kërkohet: Krijimi i një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e Federatës Ruse për të paguar projektet e infrastrukturës në Ukrainë; Transferimin e kapitaleve të ngrira të Federatës Ruse në fondin ndërkombëtar;
Krijimin e një tribunali kompensimi për të gjykuar, në përputhje me normat e vendosura gjyqësore, kërkesat e paraqitura nga Ukraina në emër të individëve, subjekteve dhe instancave qeveritare, ose drejtpërdrejt nga individët dhe subjektet e saj, siç do të parashikohet nga rregullat e tribunalit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb