“Chybik + Kristof” është studioja fituese e garës ndërkombëtare për godinën polifunksionale, e cila do të ngrihet në Bulevardin e Ri, me qëllim krijimin e një ndërtese ikonë në at zonë. Gjatë prezantimit të konkursit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se zgjerimi i mëtejshëm i kryeqytetit është një domosdoshmëri e zhvillimit, por edhe një perspektivë e re që i hapet qytetit të 100 viteve të ardhshme.

“Jam vërtet krenar që e gjithë skuadra jonë, skuadra e planifikimit në nivel qendror, por edhe në nivel lokal, ka krijuar këtë traditë fantastike ku ne bashkëpunojmë me sektorin privat, duke organizuar një konkurs për idetë më të mira. Kemi parë që nga idetë kemi pasur vetëm përfitime. Ideja më e mirë, siç ka qenë konkursi për Plazza-n, është kthyer në një ndërtesë ikonike. Ndaj shpresoj shumë që nga këto 5 ide, të zgjedhim vërtet një rezultat, një koncept ikonik në atë që unë besoj se do të jetë Tirana e 100 viteve që vijnë,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se zona e Bulevardit të Ri është edhe ajo ku po investohet më së shumti aktualisht në Tiranë. “Këtu kemi të bëjmë me të parin projekt, ose me të parin investim madhor të Bashkisë së Tiranës, ku të gjitha shërbimet janë tashmë aty. Ne sapo kemi marrë dhe një grant nga qeveria e Katarit edhe për sheshin fundor të Bulevardit të Ri. Është një lloj zgjatimi i shtyllës kurrizore të Tiranës. Besoj se kjo zgjatje e shtyllës kurrizore të qytetit ka hapur një perspektivë për 100 vitet e ardhshme,” u shpreh më tej Veliaj.

Në këtë garë morën pjesë 5 studio ndërkombëtare, ku në vend të dytë u rendit studioja “XDGA”, ndërsa vendin e tretë e mori “Atelier Martel”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb