Sfidat aktuale të tregut mediatik kanë qenë në fokus të mbledhjes së 58-të të Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore, EPRA, mbajtur në Bukuresht. Me pjesëmarrjen e 56 autoriteteve rregullatore, anëtarë nga 47 vende të Europës, në këtë takim kanë qenë të pranishëm dhe prezantuan gjetjet e tyre edhe përfaqësues të Komisionit Europian, Këshillit të Europës, Observatorit Europian Audiovizual dhe ERGA-s, si vëzhgues të përhershëm të EPRA-s.

Si Presidente e Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore, Armela Krasniqi është ftuar të prezantojë në këtë takim të rrjetit më të madh dhe më të vjetër të autoriteteve europiane të medias audiovizive, prespektivën aktuale të tregut mediatik, parë në këndvështrim rajonal dhe europian tashmë. Në fjalën e saj Krasniqi, ka njohur pjesëmarrësit po ashtu dhe me aktivitetin e konkluzionet e nxjerra në asamblenë e 22-të Plenare të Rrjetit Mesdhetar, organizuar pak javë më parë në Tiranë.  

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Format dhe rrugët e reja të komunikimit, të shtuara dhe të transformuara nga zhvillimi i teknologjisë, na kanë vënë përballë kushtesh të reja përshtatjeje dhe nevojës për hartimin e strategjive shtesë, siç e dikton tregu”, ka thënë në fjalën e saj Krasniqi. ”Është përgjegjësi e jona përshtatja e planeve të punës me kushtet e reja të tregut. Akti Europian i Lirisë së Medias që pritet të aprovohet është një instrument i ri shumë i dobishëm i Bashkimit Europian për të mbrojtur pluralizmin dhe pavarësinë e medias. Është e rëndësishme rritja e transparencës së pronësisë së medias. Lind nevoja e një plani pune për periudhën në vijim, në lidhje me Edukimin Mediatik të Publikut, në mënyrë që të formësohet një audiencë me aftësi analitike dhe kritike, në gjendje për të kuptuar dhe për t’u përfshirë në mënyrë të përgjegjshme në media. Rregullimi ligjor i Platformave të Shpërndarjes së Videove është një tjetër sfidë me të cilën entet rregullatore përballen aktualisht dhe AMA gjithashtu”.

Gjatë fjalës së saj, Krasniqi ka bërë me dije të pranishmit edhe për miratimin nga ana e MNRA dhe 5 rrjeteve të tjera të ngjashëm, të deklaratës së përbashkët me rastin e Konferencës Botërore të UNESCO-s “Interneti për besim – Drejt udhëzimeve për rregullimin e platformave dixhitale për informacionin si një e mirë publike”. I zhvilluar përmes një procesi konsultativ me shumë palë, kuadri rregullator global i propozuar nga UNESCO është publikuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Duke mbështetur qasjen dhe objektivat e UNESCO-s në mjedisin dixhital, deklarata ripohon në veçanti mbështetjen e rrjeteve të rregullatorëve dhe sigurisë në internet për një sistem të pavarur rregullimi të përmbajtjes online, duke garantuar lirinë e shprehjes, por njëkohësisht edhe mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të tjera të njeriut. “Kemi vullnetin për të zhvilluar sisteme rregulluese koherente në mënyrë që të përmbushen më mirë këto objektiva, duke minimizuar fragmentimin e hapësirës dixhitale. Gjithashtu jemi gati të kontribuojmë në krijimin e një hapësire të përbashkët dhe shumëpalëshe për shkëmbim e praktikave më të mira në rregullimin e platformave dixhitale”, ka thënë Krasniqi.  

Platforma Evropiane e Autoriteteve Rregullatore u themelua në vitin 1995 si nevojë në rritje e bashkëpunimit mes enteve europiane rregullatore. Me përvojën e saj 25 vjeçare dhe me një rrjet të fortë kontaktesh në nivel profesional, EPRA është rrjeti më i vjetër dhe më i madh i rregullatorëve të transmetimit dhe është një mjedis ideal për shkëmbimin e informacionit, rasteve dhe praktikave më të mira midis rregullatorëve të transmetimit në Evropë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: