Në seancën për verifikim të masës së sigurisë, Gjykata e Shkallës së Parë dha “arrest me burg” për Bajram Bregun, i arrestuar tek “Komuna e Parisit” në Tiranë, nga RENEA dhe FNSH.

Bajram Bregu pritet tashmë të vuajë dënimin në burg, për kultivim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa cilësohet nga policia si person i rrezikshëm dhe i dyshuar për ngjarje të tjera kriminale. Gjykata dha “arrest me burg” edhe për përkrahësin e Bajram Bregut, shtetasin Bajram Çekorja.

Burime nga Policia e Shtetit bënë me dije për “BalkanWeb” më herët se ai njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Liçit autorit kryesor të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bilali me 30 mars të këtij viti dhe pjesëtar i familjes Liçi të cilët tashmë prej më shumë se një viti janë në përplasje me grupin tjetër kriminal Bajri edhe këto të fundit të arrestuar që në shtator të vitit të kaluar.

Barush Bregu është një kontigjent i njohur për policinë. Në 2016 është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov.

Barush ose Bajram Bregu vitin e kaluar gjatë ndjekjes nga policia e Shkodrës arriti që t’i shpëtojë ndërsa përplasi me mjetin e tij dy patrulla të policisë duke iu shpëtuar ndjekies.

Përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë person i shpallur në kërkim dhe pas një viti u arrestua në Tiranë në banesë me qera tek “Komuna e Parisit”. Barush Bregu dyshohet nga policia e Shkodrës edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale sëbashku me Ibrahim Liçin. Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Barush Bregu dyshohet edhe si personi që ka ndihmuar Ibrahim Liçin në çdo lëvizje të këtij të fundit.

Bashkë me 33 vjeçarin u kap edhe Bajram Çekorja, 21 vjeç banues në Shkodër i dyshuar për përkrahje të Barush Bregut.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: