Ferdinand Samarxhi – Mjeshtër i Madh – Në 60-vjetorin e shenjtërisë së tij, Dede Edmond Brahimajt, liderit të Kryegjyshatës Botërore – Bektashizmi, nga Sari Salltiku te Baba Mondi, besimi që mëkon urtësi, dashuri dhe paqe

VAZHDË NË RRUGËN E URTËSISË… Baba Mondi, mëkim i legjendës Dede Reshat Bektashizmi është udhë shpirtërore, mistike islame, që shkon drejt hyjnizimit të përsosmërinë së njeriut. Duke udhëtuar shpirtërisht drejt Zotit, duke përsosur vetveten, qenien e tij njerëzore, njeriu dashuron jo vetëm rrugën mistike për të adhuruar Zotin, por ai mëkohet dhe nga misticizmi i natyrës, që për të është një pjesë e pandarë e kësaj rruge. Fillimet e urdhrit bektashian (tarikat), në Shqipëri, datojnë prej më shumë se 8 shekujsh, që kur erdhi themeluesi i këtij urdhri, misionari i parë islam në Ballkan, pinjoll i familjes profetike të Profetit Muhamed a.s., humanist, filozof mistik, Sari Salltiku, në malin e Krujës, duke lënë gjurmë të veprës së tij në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe Ballkanit. Ky besim po përkonte te Shqiptarët me krenarinë dhe identitetin e kombit, siç ish te dashuria për të mbrojtur vatanin, duke iu lutur Zotit për të qenë gjithmonë bashke në një flamur, devizë kjo, e cila përkonte edhe me parimet themelore të bektashizmit, këtij besimi të ri për shqiptarët.

Shpella e malit të Krujës, që u bë vend strehimi për misionarin e parë, Sari Salltiku, u bë një tyrbe e madhe, një vend i Zotit, ku mëkoheshin të gjithë shqiptarët dhe merrnin bekim për të luftuar kundër turqve nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Edhe pse dihet historikisht prejardhja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, e krishterë, që u mor peng bashkë me vëllezërit e tij nga sulltani i kohës, historianët e lidhin Heroin tonë Kombëtar, luftëtarin legjendar, me bektashizmin, ku, siç dihet, me mëkimin që mbrujti nga bektashizmi në krye të forcave kryengritëse, arriti të shpartallojë divizionet turke dhe të ngrejë flamurin në kështjellën e Kalasë së Krujës.

I mbrujtur dhe i ushqyer me idealin e këtij besimi të ri, edhe Ali Pashë Tepelena do të shpaloste idealin e bektashizmit për vatanin dhe kombin, ku siç dihet, luftoi si një prijës i madh, vendosi aleanca edhe me Napoleon Bonapartin, si një shqiptar me emër, do të shkruante historinë dhe do t’i jepte vlerë këtij besimi me devizën “Me Zotin për kombin”.

Pararendës të këtij besimi për shqiptarët, vëllezërit Frashëri, do ta ideologjizonin atë, duke mëshiruar dhe mëkuar atë, si një besim të ri, që do të mbante lartë pishtarin e zjarrtë të dashurisë për kombin, pishtarin e dashurisë për Zotin.

13 dhjetor 1925, kur Parlamenti turk mbylli me vendim të gjitha teqetë dhe tyrbet në Turqi, në krye, në Haxhi Bektash, në krye të bektashizmit botëror ishte shqiptari, kleriku i madh i kombit, Sali Njazi Dedei, me origjinë nga Starja e Kolonjës.

Pas bashkëbisedimeve me baballarët në Turqi, Bullgari, Rumani, Greqi dhe Shqipëri, duke tentuar për të gjetur një zgjidhje, Kryegjyshi Botëror, Sali Njazi Dedei, mori kontakte me Kryeministrin e kohës, Ahmet Zogu, përmes përfaqësuesit të tij diplomatik në Stamboll. Duke dëshmuar një akt patriotik, Ahmet Zogu ra dakord për sjelljen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri.

Kongresi i tretë bektashian, që u mbajt në Korçë në vitin 1929, mirëpriti këtë akt patriotik dhe aprovoi ardhjen dhe vendosjen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore bektashiane më 10 janar 1929, në Tiranë. Në një dokument të Arkivit Qendror të Shtetit të vitit 1932, thuhet se: “Kryetari i Teqesë së Haxhi Bektash Veliut në Kërshehir, Hirësia e Tij, Kryegjyshi Sali Njazi, që është i fisit shqiptar dhe që njihet si papa i gjithë bektashinjve të botës, u shtrëngua të largohet nga Qendra e madhe e Bektashizmit dhe erdhi e zuri vend në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë, gjithë duke mbajtur dhe ofiqin e tij të lartë si postmbajtës i këtij besimi në gjithë botën”. Vitet 1929-1941 tregojnë se Kryegjyshi Sali Njazi Dede i dha bektashizmit një dimension të ri historik të parimeve themelore të tij, idealit të kombit mbi gjithçka. Ai nuk firmosi pushtimin e vendit tonë nga Italia në vitin 1939 dhe pas dy vitesh, si pasojë e këtij akti, do të binte si dëshmor i atdheut. Pas tij legalizuan gjithnjë e më shumë bektashizmin Ali Riza Dede, Kamber Ali Dede, Xhaferr Sadik Dede, Abaz Hilmi Dede, Ahmet Myftar Dede, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe më tej vazhduesi i tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Të gjithë në një rrugë, të gjithë në një ideal, të gjithë për kombin, flamurin e tij, flamurin e bektashizmit, gjurmë që u bënë rrugë që nga të parët e vazhdë. Kryegjyshi i fundit, që përjetoi terrin e egër ateist, ishte Dede Ahmeti, që kaloi në udhën e zjarrit dhe të territ dhe mbijetoi me dashurinë ndaj Zotit dhe hakut të Tij. Në konferencën ndërkombëtare “Apel Paqes” në Tiranë në vitin 1956, ky Tribun, dijetar dhe filozof i bektashizmit, shpalosi mendimet në referatin e Perëndisë se dashuria e Zotit është paqja dhe paqja është dashuria e njerëzve. Dhe pse shqipëroi të gjithë literaturën e besimit në gjuhën amtare, pas kësaj Konference do të fillonte sterra e jetës së tij dhe Dervish Reshatit nga lufta e partisë-shtet. Nuk kish më Zot, për partinë-shtet, veç idealit të njeriut të ri, idealit komunist.

Teqja e Drizares u kthye në një altar të besimit të Zotit, edhe pse ishte një kasolle e thurur me thupra e baltë, ajo thërriste në apoteozë dashurinë hyjnore për Zotin.

Që në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi tërhoqi vëmendjen e tij për urtësinë, dashurinë, rrugën e vazhdimësisë, për rrugën e EhliBejtit. Djaloshi prej Lusnës së largët të Kukësit shfaqte jo vetëm prirje mistike fetare, por si një apostull i ri, prezumonte një shenjtor të ardhshëm. Në gusht të vitit 1954, ai do të merrte hyjnizimin dhe hijeshinë e një mistiku të Haxhi Bektashit.

Por, ky hyjnizim që po shkëlqente çdo ditë, po verbonte idealin e ri komunist. Kështu, në 1958, u internua bashkë me Kryegjyshin e tij, Ahmet Dede Myftarin. Vitet 1958-1967 do të ishin vite të një vargu torturash fizike dhe psikike, të kryera nga Sigurimi i Shtetit. Teqeja e Drizarit, si paradoks për kohën, do të kthehej në një kala të madhe të dashurisë për Zotin, për besimin, ku njerëzit nga të gjitha viset shqiptare. Prilli i vitit 1967, në kuadër të ndërtimit të të vetmit shtet ateist në botë komunist, solli shkatërrimin e të gjitha objekteve fetare, të gjitha besimeve dhe bektashizmit.

Në vitet ’90 kishte flladitur agu i lirisë, lirisë së jetës, lirisë së besimit, lirisë së fjalës. Kishte lindur dhe kishte ardhur më në fund koha që Dede Reshati të ndizte tani kandilin e dritës. Hyjnori Dede Reshati, që u konsakrua në vitin 1993 si Dede, ngeli legjendë për gjithë kohët, për Vazhdë në rrugën e urtësisë … gjithë brezat dhe të gjithë pas kohëve, pas shekujve, do të thonë: “Legjenda Baba Reshat”.

Drita, dashuria, mëkimi i Legjendës Baba Reshat, do të thërriste në apoteozë të rrugës së Zotit, të rrugës së Ehli-Bejtit dhe një kandil, një çirak që me dritën ndezi nga drita e tij si një vazhdë në rrugën e urtësisë. Ky fëmijë ishte Dede Edmond Brahimaj që njeh, ruan dhe ngre lart të parin e tij, Dede Reshat Bardhin, që e quajti atë zëvendës të parë dhe pasues të tij. Nëpër tyrbe e teqe, Seli e Kryegjyshatës, i vogël, do të endej, i rritur do të ndjehej, i madh do të bëhej, nga besimi dhe dashuria që ushqente me urtësinë e tij, nga mëkimi për rrugën që e ftonte myshiti i tij, legjenda Dede Reshat.

Edhe pse i ri, ende i paveshur, me ringjalljen e besimit, në fund të viteve ’90, së bashku me iniciatorë të tjerë, Baba Reshatin, Baba Selimin, Baba Bajramin, Skënder Gazhelin, Ibrahim Hasnajn, do të marrë pjesë në këshillin organizativ për hapjen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, do të mbajë protokollin e mbledhjes, por do të jetë dhe një nga firmëtarët e çeljes së saj. Ky ishte djali nga Brataj i Vlorës me prejardhje farefisnie, tradite familjare bektashiane, nga fshati i Kryegjyshit të ndritur, Dede Ahmet Myftarit. Rruga e Zotit do të ndriste tek ai rrugën e Ehlibejtit. Studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” studimet e larta ushtarake në Akademinë e Forcave Tokësore do të ngjallnin dhe do të nxisnin më shume tek ai dijen për t’u afruar sa më shumë te Zoti, për të qenë më pranë tij, me dije, zemër dhe me shpirt. Puna dhe shërbimi i tij në forcat e armatosura mbrujtën me shumë dashuri, jo vetëm për atdheun, por dhe më shumë për Zotin, për rrugën e Tij, për besimin, për Të. Kjo bëri që në vitin 1991, me kërkesë të tij, të lirohej nga detyra si ushtarak dhe t’i drejtohet Zotit dhe t’i lutet tashmë Atij gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më i përkushtuar.

2 janari i vitit 1992 do të ndizte në zemrën e Kryegjyshit të sotëm, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, një kandil prej udhëheqësit të tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhit, duke hyrë kështu përfundimisht në rrugën hyjnore të Haxhi Bektash Veliut. Në 16 maj të vitit 1996, konsakrohet me urdhrin dervish, dhe menjëherë dervishi do të merrte detyrën për drejtimin e Gjyshatës Bektashiane Korçë, Teqen e Turanit. Punë, vazhdë e palodhur, dinjitet, hyjnizim në rrugën e Haxhi Bektashit, urtësi dhe besnikëri në rrugën e Zotit, dashuri për rrugën e Ehli-Bejtit, do të bëjë që në 13 prill të vitit 1997, dervish Edmond Brahimaj, të dekretohet, me titullin Baba. Pas kalimit nga jeta e Baba Bajram Mahmuta- Legjenda e pavdekshme, Dede Reshat jt, ngarkohet dhe caktohet me detyrën zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Reshat Bardhit, Legjendës së Bektashizmit, Apostullit ngadhënjimtar të Zotit.

Vizionar i besimit, vizionar për kohën, vizionar për emancipimin e besimit në konturet e Perëndimit, diversiteteve të kulturave të besimeve Baba Edmond Brahimaj, pas kalimit nga jeta të Kryegjyshit Botëror, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Reshat Bardhit, Legjendës së pavdekshme të Bektashizmit, do të zgjidhet në 11 maj 2011 në postin e lartë të Kryegjyshit, si udhëheqës Botëror i besimit Bektashian.

Sot, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, e sheh si një opsion që duhet të observojë dhe prevalojë besimin bektashian. në veçanti në Maqedoni, ku ky besim ndeshet me diversitete të kulturave dhe besimeve të tjera.

Kryegjyshi, sot, në opsionin e Tij, rrezaton vlerat që bektashizmi si një doktrinë e spikatur mes gjithë besimeve të tjera, përfaqëson vlera të mëdha në arenën ndërkombëtare, për të gjithë besimet, për të gjitha diversitet, për të gjitha kulturat.

Takimet e tij, si në Teheran në vitin 1996, për tolerancën e besimit në trevat e Ballkanit, konferencën ndërkombëtare “Fetë dhe civilizimet në mijëvjeçarin e ri”, “Liritë Fetare”, organizuar në Indi, theksojnë se të gjitha besimet, si një e drejtë e pakontestueshme e jetës së çdo njeriu, duhet të determinojnë sot si një liri themelore e së drejtës së tyre, që përball çdo sfide, çdo shoqërie, çdo kombi, duhet të ekzistojë i barabartë midis të gjithë besimeve, pa dallim ngjyre, race dhe ideje.

Iniciator i përçimit të paqes dhe dashurisë, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, krah për krah me vëllezërit e tjerë shqiptarë të besimeve të tjera, shfaqi dhe manifestoi, në bulevardin qendror të Parisit, “Zhan Dark”, vizionin e paqes, të bashkëjetesës, të tolerancës fetare si një vizion i kombit tonë, që duhet të përshkojë sot shoqërinë e sotme, zhvillimet e saj. Paqja, dashuria, vëllazëria, duhet të udhëheqin çdo komb, çdo shoqëri, çdo qenie njerëzore. Botëkuptimi vizionar i Kryegjyshit Botëror u përcoll si një mesazh i madh për të gjithë shoqërinë e sotme, kundër rrymave radikale regresive, kundër terrorizmit, që me aktet e tyre po çoroditin shoqërinë e sotme njerëzore. Figura, emri i Baba Mondit, gjatë atyre ditëve, u bënë portreti më i dashur, më i afërt i zemrave të njerëzve.

7 shtator 2015. Mbi 500 pjesëmarrës, përfaqësues, titullarë, liderë botërore të besimeve të ndryshme, personalitete të mëdhenj ndërkombëtare nga e gjithë bota, erdhën për të marrë pjesë në përurimin e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Duke përshëndetur Kryegjyshi Botëror, kujtoi se Qendra Botërore e Bektashizmit, që u vendos 9 dekada më parë në Shqipëri, ka luajtur dhe luan një rol të madh historik, drita e saj tashmë do të përhapet anekënd botës, kudo ku jetojnë besimtarë myslimanë bektashianë. Kryegjyshi Botëror, si nxënës i urtë besnik i myshitit të tij, mban e plotëson premtimin, amanetin e Dede Reshatit.

Në këtë ditë, Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, e quajti përurimin e Odeonit, rilindje të bektashizmit dhe përmbushje e jetës së një njeriu të madh e të ndjeshëm si Baba Reshati.

11 maj 2016, ditë e paharruar historike. Për herë të parë, takim i Atit të Shenjtë me një lider mysliman, përfaqësues i të gjithë Ballkanit, e pandodhur ndonjëherë më parë. Papati thyen rregullat shekullore të pritjes protokollare. Ati i Shenjtë, Papa Françesku, jo vetëm i rezervon Kryegjyshit Botëror, liderit të gjithë besimtarëve myslimanë bektashianë alevianë, ngrohtësi dhe dashuri tepër të veçantë, por në shenjë vëllazërore, që s’ndodh ndonjëherë, mori vetë personalisht dhe afroi karrigen pranë Kryegjyshit Botëror, si vëlla që pret vëllain në shtëpinë e tij. “Po pres një mik të mirë nga Shqipëria në shtëpinë e Zotit në Vatikan. Ju vlerësoj Juve shumë, për vizionin dhe misionin, për luftën tuaj që po bëni kundër rrymave, akteve të ndryshme të terrorizmit, që në emër të besimit po tronditin dhe po çorodisin shoqërinë e sotme njerëzore. Rruga jonë e sotme është bashkëpunimi, dialogu dhe mirëkuptimi midis besimeve dhe aty ku ka mirëkuptim, ka dialog, bashkëpunim, paqe dhe prosperitet. Ne e vlerësojmë kombin tuaj, besimin tuaj në veçanti, rolin tuaj të madh që ju po luani si Qendër Botërore për bashkëjetesën me të gjitha besimet, tolerancë për të bërë të mundur që kudo të zotërojë paqja dhe dashuria mes njerëzve, mes besimeve, mes popujve, mes kombeve. Ne e shohim shqiponjën që valëvitet në flamurin tuaj si një shpresë për të ardhme që mbështetet te Zoti”. “Ne ju falënderojmë shumë dhe ju shohim juve – ju drejtua Kryegjyshi Botëror Atit të Shenjtë Papa Françeskut – si një flamurtar të paqes dhe dashurisë për gjithë popujt, për gjithë kombet, për gjithë shoqërinë e sotme njerëzore flamurtare, të cilit ju jeni dhe që po luftoni për shmangien e luftërave në emër të Zotit për t’i afruar popujt e fetë mes tyre si një familje e vetme njerëzore”.

11 Nëntor 2016, një ftesë, një vlerësim tjetër, do të ngrejë lart vizionin e bektashizmit, Qendrës së tij Botërore, rolin dhe misionin e liderit botëror, Kryegjyshit Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Mes 200 hierarkëve të lartë të kishave ortodokse të të gjithë botës, personaliteteve të ndryshme, Kryegjyshi Botëror ftohet nga patriarku i parë i Patriarkanes Ekumenike të Stambollit, Vartholomeo, i pritur dhe i respektuar si Primar në katedralen e lashtë të Shëngjergjit të periudhës bizantine, ku u zhvillua ceremonia solemne e 25-vjetorit të fronëzimit të patriarkut Vartholomeu i Parë.

Roli i patriarkut, bashkëbisedimet për paqe që nxit patriarku, lufta për dialogim ndërfetar, judaizmin dhe islamin, janë rezultate të prekshme mirëkuptimi për ruajtjen e çështjes së paqes. Qendra Botërore e Bektashizmit, vizioni që përhap Kryegjyshi Botëror për unitet dhe dashurinë midis besimeve të shoqërisë së sotme njerëzore, ishin mesazhe që përcollën të dy liderët: Patriarkanës Ekumenuke të Stambollit dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për të cilët, rruga e bashkëpunimit, dialogimit dhe e afrimit mes tyre çon përpara misionin e madh të emancipimit të besimeve, rolit të tyre të madh në çështjet e sigurisë në rajon.

Vlerësimi që patriarku Vartholomeu i bëri liderit të besimit mysliman është një mesazh i madh, që për të gjithë së bashku çon përpara çështjen e paqes dhe sigurisë në rajon. Në themel të punës së tij, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, lufton që besimtari, njeriu si një qenie shoqërore që jeton në një komunitet dhe në një realitet të caktuar të zhvillimit të shoqërisë së sotme, të prevalojë gjithnjë vlera të dobishme për shoqërinë ku ai jeton, të jetë pjesëtar aktiv i qenësishëm në përballjen e sfidave të zhvillimit të sotëm dhe të kushteve të globalizmit, që mundohet ta largoje njeriun nga rruga e besimit.

Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, në këtë vazhdë të urtësisë, rrugëtimit të tij 60-vjeçar të jetës, si respekt, dashuri e qindra mijëra besimtarëve të Shqipërisë, kombit tonë dhe në botë, ka bërë që të gëzojë mjaft tituj nderi të shumë qyteteve si Korçë, Fier, Berat, Përmet, Skrapar, Bulqizë, si: “Dr. Honorus Causa”; Misioni i OKB-së 2016; titullin “Ambasador i Paqes”; urdhrin e lartë, dekretuar nga Presidenti i Republikës, “Kalorës i Urdhrit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu”; Mirënjohje nga Presidenti i SHBA-ve, 2017 Obama dhe çmimin e arit “Ikona e paqes”, Shoqata e Kombeve të Bashkuara, “G.O.D. Awards”, tetor 2017. Në këtë rrugëtim shpirtëror 60-vjeçar, Kryegjyshi Botëror, Shenjtëria e tij. Haxhi Dede Edmond Brahimaj, do të përçojë gjithnjë mesazhin ungjillor, “Paqe mbi dhe e me të gjithë njerëzit mirëdashje”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb