Deradikalizimi dhe ashpërsia e Kodit Penal ishin disa nga çështjet që u ngritën në emisionin ‘Real Story’, të cilat për ekspertët e sigurisë dhe çështjet e terrorizmit për të luftuar radikalizmin janë gjithmonë në rritje. Sipas ekspertëve, personat që kanë si qëllim sublim martirizimin e tyre nuk e llogarisin Kodin Penal, sado i ashpër të bëhet ai. Po ashtu ata theksuan faktin se kjo çështje kërkon trajtime dhe programe të veçanta që luftojnë këto ideologji si te individi dhe shoqëria, por theksuan se ky proces është afatgjatë në kohë.

Ekspertët kërkojnë se kjo çështje trajtohet në dy mënyra njëra përmes vetë individit dhe programeve psikologjike për të larguar ideologjitë e tij radikale dhe tjera duke trajtuar komunitetin dhe shoqërinë që të kuptojë dhe informohet se kush janë rreziqet dhe si t’i shmangen këtyre rrjeteve terroriste. Një tjetër pikë problemi ishte edhe numri i madh i shqiptarëve në Siri dhe për këtë duhet një analizë e thellë nga institucionet shqiptare se pse ndodhi kjo. A ekziston rreziku i shpëtimit të ndëshkimeve nga drejtësia shqiptare? Për ekspertin e sigurisë, Arjan Dyrmishi gjykatat shqiptare e kishin mjaft të vështirë të bënin interpretime apo të kapnin nuanca të caktuara për të dhënë vendimet në lidhje me ato radikalë që kanë dënuar. Ai tha se gjykatësit dhe drejtësia ka nevojë për trajnime e programe të posaçme si për të mbledhur provat e duhura, që është shumë e vështirë, edhe për të kuptuar indikacionet që tregojnë radikalizëm.

“Forma më lartë apo qëllimi sublim i tyre është martirizimin dhe nuk e llogarisin fare Kodin Penal. Nga pikëpamja e hetimit penal nuk ke mundësi të mbledhësh prova që janë të vlefshme në një gjykatë, është shumë e vështirë të shkosh të mbledhësh prova radikalizimi në Siri apo në një vend që nuk ke juridiksion. Dhe po t’i mbledhësh në cilën gjykatë do i çosh? Ne pamë rastin e këtyre personave që u gjykuan se me sa vështirësi gjykatësit shqiptarë e kishin për të kuptuar interpretime të caktuara të cilat nuk i kemi as të koduara por as nuk kemi specializim apo trajtimin e posaçëm për këtë çështje” u shpreh Dyrmishi.

Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare për sigurinë, Adrian Shtuni problemi në Ballkan nuk është vetëm në rekrutimin e njerëzve, por edhe të armëve dhe financimeve. Shtuni tha se pjesa më e vështirë është që këto persona të “çaktivizohen” nga ideologjia apo rrjetet që i përkasin dhe kjo kërkon një kohë të gjatë. Programet psikologjike për çrrënjosur ideologjinë terroriste por edhe ashpërsimi i kodit penal në lidhje me dënimin e tyre janë ato që duhen bërë, por theksoi se kodi penal nuk duhet të ketë vakume në këtë drejtim.

“Në Ballkan nuk ka pasur vetëm rekrutim të njerëzve, por ka pasur dhe mbledhje armesh dhe financimesh nga Ballkani për organizmin e kateve terroriste. Deradikalizimi e shoh si një proces mjaft të gjatë, por mund të “çaktivizohen” nga ideologjia apo rrjetet që i përkasin. Ky proces nuk është aspak i thjeshtë pasi kemi parë njerëz që kanë qenë pjesë e këtyre programeve për t’u deradikalizuar, dhe në fund kanë kryer akte terroriste. Ashpërsimi i dënimeve por jo në vakum. Këto dënime duhet të jenë më të gjata por edhe të ofrohen programe në aspektin psikologjik dhe ç’bërjes së ideologjisë për të riaktivizuar jetën jashtë grupeve apo rrjeteve që ato i përkasin”, pohoi ai.

Dënimi por edhe deradikalizimi i rekrutëve në Siri është një problem i madh dhe i vështirë për t’u trajtuar edhe për koordinatorin kombëtar për radikalizmin, Agron Sojati. Ai u shpreh se duhet edhe një analizë e thellë se pse kaq shumë shqiptarë ikën në Siri si dhe duhen programe konkrete për trajtimin e individit dhe komunitetit.
“Është e vështirë të mbledhësh prova, por në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ka një numër më të vogël të personave që janë ballafaquar me drejtësinë apo janë nën akuzë. Një pjesë e këtyre kanë marrë dënimet më të mëdha me 17-18 vite burg, që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër në rajon. Për një pjesë mbase nuk funksionon kurrë dhe nuk deradikalizohen dot, por në këtë target grup nuk janë vetëm ato por dhe komunitetet rreth tyre. Pra ne luftojmë faktorët që ndikuan tek ato, jo duke i frikësuar pro duke i ndërgjegjësuar dhe ndriçuar me informacion se si të mbrohen dhe kush janë rreziqet. Po bëjmë më tepër mbështetje të komunitetit si dhe po trajnojmë policët që të jenë më afër këtij komuniteti në mënyrë që të ndërtohen urat e besimit dhe të ketë një shkëmbim të drejtë të informacionit. Duhet të kishte një analizë se pse një numër kaq i madh shqiptarëve ikën në Siri. Kjo lidhet me financimet. Nuk ndodhi gjithçka brenda natës. Kishte kohë që indoktrinoheshin me këtë ideologji, apo edhe u ofroheshin shpërblime financiare. Sot kemi institucione që kanë informacion dhe trajnimin e duhur për të kapur apo deshifruar këto indikacione që shfaqin radikalizmin. Pra deradikalizimi ndodh në dy anët nga vete individ që trajtohet dhe komuniteti që trajnohet për ta shmangur atë” tha Sojati.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: