Nga: LEONARD OLLI*
Blushi këtë herë gaboi edhe pse me dashje. Duke dashur të shmangë sulmin brenda llojit dhe, natyrshëm, për të shpëtuar nga histeria e rilindistëve që u dhembin deri në palcë të vërtetat Blushit, tentoi të barazojë këtë qeverisje me qeverisjen e Berishës dhe Partisë Demokratike. Është normale që Blushi ti referohet Berishës, si një alibi për të justifikuar kritikën e tij jo ndaj qeverisjes Berisha, në thelb, por ndaj premtimeve fantazmagorike të PS-së, ku ai militon prej rreth 20 vitesh dhe dështimit total të qeverisë Rama në këto dy vjet.

Nisur nga fakti se gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, PS ‘quazi’ e personalizoi aksion politik me Berishën. Blushi, me mjaft elegancë, por dhe konsekuencë në linjën e tij politike, sërish iu referua qeverisjes Berisha, si krahasim jo me të në thelb, por me akuzat politike që socialistët artikuluan para dhe gjatë fushatës elektorale. Edhe pse shumë prej tyre ishin një retorikë e pastër politike, ato ishin baza e fushatës së tyre shoqëruar me premtimet e bujshme, paralelisht bazuar në teorinë e famshme se do të fillonin gjithçka nga zero. I mirëkuptuar në këtë krahasim, por jo e pranuar, është e nevojshme të nënvizohet se rilindistët (sikundër i ka pagëzuar vetë Blushi), po qeverisin krejt në të kundërtën jo vetëm të qeverisjes Berisha në tetë vite, por krejtësisht në kah të kundërt dhe me ato çka u premtuam shqiptarëve më 21 qershor.

Një vështrim retrospektiv në kohë është prova më e mirë për këtë. Kur PD erdhi në pushtet në vitin 2005, krimi organizuar dhe bandat të rrezikshme vepronin lirshëm në gjithë territorin e vendit. Në vetëm dy vite, kohë që ministër i Brendshëm ishte i ndjeri Sokol Olldashi, mbi 200 banda u çmontuan dhe pjesëtarët e tyre u vendosën para drejtësisë, duke marrë dënime nga më të rëndat. Ndërsa vetëm pas dy viteve të qeverisjes rilindiste krimi jo vetëm është kthyer sërish në rrugë, por për më tepër tashmë është edhe në parlament e administratën publike me bekimin e vetë Ramës, ndërkohë që dhe raportet ndërkombëtare flasin qartë për lidhjet e tij deri në piramidën më të lartë qeverisëse. Maskat janë kthyer frikshëm në akset kombëtare, ndërkohë që shpërthimet e tritolit një ritual i frikshëm. Kur qeveriste Berisha u zbatua taksimi 10%, i cili uli në minimum evazionin fiskal dhe riti ndjeshëm iniciativën e biznesit privat e familjar.

Ndërsa sot taksa progresive dhe eksperimentet fiskale e kanë futur ekonominë në depresion total dhe dita ditës mijëra biznese individuale e familjare janë mbyllur e vijojnë të mbyllen. Bizneset e madha po tkurren, ndërkohë që investitorët e huaj po largohen në heshtje. Borxhi i jashtëm nga 62%, vetëm në dy vite i është afruar kufirit të 78%, duke rrezikuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë. Në periudhën 8-vjeçare të PD, u çelen negociatat për marrjen e statusit të vendit kandidat, të cilat u kurorëzuan me sukses në dhjetor të vitit 2012 ‘de facto’, por që si rezultat i bojkotit të socialistëve u bllokua, ndërkohë që pas marrjes së statusit e deri më sot, nuk është bërë asgjë për të vijuar proceset integruese (rezoluta e BE-së, është argumenti më kokëfortë për këtë).

Po gjatë kësaj periudhe Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s dhe shqiptarët prekën ëndrrën e lëvizjes së lirë në Evropë, të mohuar nga diktatura, e me pas nga vetë Evropa për 70 vite me radhë, ndërkohë që sot, vetëm dy vite nga qeverisja rilindiste, rrezikojmë kthimin e regjimit të vizave. Largimet masive të shqiptarëve janë në parametrat e një eksodi të tretë. Në tetë vitet e qeverisjes së të djathtëve Shqipëria njohu transformimin më të madh e më modern në infrastrukturën rrugore, investime publike në shkolla, ujësjellës etj. Prej dy vitesh nuk ka thuajse asnjë investim në të gjithë këta sektorë. Në vitin 2005 Shqipëria vuante krizën më të thellë të sektorit energjetik, ndërsa gjeneratorët ishin pjesë e pandarë e aksesorëve të biznesit dhe familjeve.

Vetëm pas tre vitesh, kjo situatë mori fund dhe shqiptarët e harruan edhe si term gjeneratorin, ndërsa sot mediat raportojnë ditë të tëra pa energji në mes të kryeqytetit. Për tetë vite me radhë u ndoqën politika konsekuente për rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërkohë që në këto dy vjet kjo mund të konsiderohet “mollë e ndalume”. Togfjalëshi “fajin e ka Saliu”, tashmë është shndërruar në batutë humori edhe për fëmijët e shkollave. Po kështu një skemë mjaft efikase e ndihmës sociale bëri të mundur që shumë familje të mos vuanin më për bukën e gojës, ndërsa sot me mijëra familje, me heqjen arbitrare të saj, kanë hyrë në nivelin e varfërisë absolute.

Në dëshpërim të thellë po braktisin vendin pasi jo vetëm nuk kanë bukë për të ngrënë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por nuk kanë më as shpresë. Sigurisht që mund të përmendeshin edhe mjaft arritje të tjera dhe, pa diskutim, e shumë kritika. Është normale, nuk ka perfeksion, por ka një qasje dhe një objektiv që në raport me premtimet e veta elektorale e djathta u mundua ti qëndronte sa më besnike.

Sot, vetëm pas dy vitesh vetë Blushi pohon se Rilindja po përjeton funeralin e saj, ku të gjithë duhet ti thonë fjalën e lamtumirës. Edhe pse në krahasimin e djeshëm në Kuvend, Blushi gaboi, me dashje, ka një të vërtetë të madhe: rilindistët as nuk po i afrohen qeverisjes së Berishës. Krejtësisht e kundërta. Në rastin më të mirë po keqqeverisin dhe në rastin më të keq nuk dinë aspak të qeverisin, por janë mjaftuar vetëm në përfitime të majme personale. Dhe sigurisht që kjo e bën Blushin dhe gjithë socialistët të ndjejnë dhimbje për zhgënjimin e thellë vetëm në dy vitet e para të qeverisjes rilindiste. Dhe, pavarësisht këtij krahasimi, Rama që e ka veshin shurdh për kritikat e opozitës bën mirë të dëgjojë socialistin Blushi.

E vërteta është shumë e hidhur, sidomos kur të thuhet nga shoku i së njëjtës llogore, por është edhe kura më e mirë nëse di të dëgjosh.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb