TIRANE

100 ide për Ballkanin Perëndimor se si shoqëria mund të jetojë në dinjitet duke mbrojtur njëkohësisht mjedisin janë prezantuar në një ekspozitë të çelur të hënën te piramida, në kuadër të nismës austriake “Të imagjinosh dinjitetin”. Ambasadori austriak pohoi se kultura është kyçe për politikën e jashtme të vendit te tij

“Aktivitetet kulturore janë një element kyç në diplomacinë e Austrisë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Jam shumë krenar që Tirana është stacioni i dytë i kësaj ekspozite”, tha Christian Steiner.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e sheh artin si frymëzim për të ngritur debat.

Blendi Gonxhja, tha se “kjo ekspozitë shërben dhe si një platformë mbi çështjet e transformimit urban duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinor dhe përpjekjet për të adresuar sfidat e kohës që ne jetojmë siç janë ndryshimet klimatike dhe zhvillim i qëndrueshëm” . Sipas tij, arti si një shprehje e thellë e kulturës dhe identitetit ka një fuqie të jashtëzakonshme për të frymëzuar, për të ngritur debat dhe për të bërë ndryshime thelbësore.

Ekspozita e arkitekturës e kuruar nga Hubert Klumpner, Michael Walczak dhe Saimir Kristo pritet të jetë platformë ku ide të ndryshme bashkohen.

Saimir Kristo, tha se “kjo ekspozitë nuk është statike dhe gjatë gjithë muajit do të ketë edhe punëtori në këtë hapësirë, si një platformë të hapur jo vetëm për të propozuar idetë por edhe të imagjinuar së bashku përfytyrimin e Tiranës”

“100 ide mbi Ballkanin Perëndimor” ka disa stacione. Pas Tiranës, ajo do të udhëtojë drejt Beogradit dhe deri në Kinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb