Në një nga rrugët e lagjet “5 Maji” në qytetin e Elbasanit u rindërtua sot përgjatë dy orëve skena e krimit për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani.

Kjo u realizua nëpërmjet një eksperimenti hetimor për të zbardhur vrasjen, ngjarje e cila ndodhi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Policia e Elbasanit gjatë natës të së martës dhe në vazhdim mori masat për rrethimin e zonës për t’u lejuar ekspertëve të punonin normalisht për rindërtimin e skemës së krimit ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën.

Rindërtimi i skenës së krimit për herë të dytë u bë pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë me kërkesë të të pandehurve të kësaj ngjarje të rëndë. Rindërtimi i skenës së krimit për herë të dytë u bë pas këmbënguljes  nga dyshuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj. Ai  i kërkoi gjykatës të caktohej këndi i qitjes, jo vetëm prej tij, por edhe këndi i qitjes i bërë nga dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende pas kësaj ngjarjes kriminale.

Është përcaktuar se nga arma e Paplekaj është qëlluar 7 herë ndërkohë që në skenë u gjendën më shumë gëzhoja.

Gjykata e Apelit Tiranë caktoi tre ekspertë, njëri prej tyre ekspert balistik dhe i vendngjarjeve në policinë e shtetit. Ata në bazë të detajeve të siguruara ditën e ngjarjes rindërtuan skemën e krimit dhe pasi të nxjerrin konkluzione të qarta pas eksperimentit hetimor duhet të dorëzojnë përfundimin e ekspertizës në 9 prill 2024 pikërisht ditën kur do të mbahet seanca e radhës në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Këtë të Mërkurë ishte hera e dytë që u krye një eksperiment hetimor në lidhje me vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani. Më herët në Qershor të vitit 2022 ishte Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit ajo që kërkoi rindërtimin e skenës së krimit të ndodhur në lagjen “5 Maji” në Elbasan.

Ngjarja ndodhi në këtë qytet në 21 prill 2021 vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare  duke u cilësuar si ngjarja më e rëndë e ndodhur për shkak të përplasjeve politike. Ekspertët që  rindërtuan  skenën e krimit, Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspertë të pavarur gjatë javë të ardhshme  duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, ku viktimë mbeti Pjerin Xhuvani.

Në atë kohë Arbër Paplekaj u vetëdorëzua në polici për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Por ndërkohë në vendngjarje u gjetën 20 gëzhoja plumbash, 7 të shkrepura nga arma e Arbër Paplekës dhe 13 të tjera ende nuk janë identifikuar nga kanë ardhur. Nga të shtenat gjatë konfliktit të armatosur mbetën të plagosur Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani  50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç, dhëndri i Pjerin Xhuvanit, dhe Xhensila Sota 27 vjeçe ( punonjëse e policisë) dhe mjaft detaje të ngjarjes mbetën mister. Kjo është arsyeja që i pandehuri Arbër Paplekaj vijon të kërkojë rihetimin e saj. Ndërkohë Gjykata e Elbasanit e dënoi Arbër Paplekajn me 22 vite burg.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb