Pasi qëndroi 1 muaj e gjysmë në qeli në Turqi, Ibrahim Lici është liruar nga burgu.

Lici u arrestua më datë 13 shkurt në Stamboll, pas shkëmbimit të informacioneve mes policisë shqiptare dhe asaj turke. Kur u arrestua, Licit iu sekuestrua edhe armë zjarri, si dhe dokumente të falsifikuara.

Edhe pse autoritetet shqiptare kanë përcjellë një dosje voluminoze për Licin, si dhe faktit që u kap në kushtet e flagrancës, sërish 31-vjeçari është liruar.

Gjykata turke në Stamboll ka vendosur për Ibrahim Licin që ai të lirohet nga qelia dhe të mos dalë nga territori turk, deri në përfundimin e hetimeve. Për procesin, pala shqiptare nuk ka marrë informacione, por se procedurat për ekstradimin kishin nisur.

Aktualisht, vendi ynë ka marrëveshje ekstradimi me vetëm 5 shtete e ata janë SHBA, Angli, Itali, Spanjë dhe Kosovë ndërsa në rastet e tjera përfshin këtu edhe Turqinë vepron sipas ligjit për marrëveshjet juridiksionale me autoritetet e huaja për çështjet penale.

Ibrahim Lici është një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, që dyshohet se është përfshirë në disa vrasje. Ekzekutimi më i fundit ku ai dyshohet se është përfshirë ka qenë ndaj Endri Mustafës më 2021 në zonën e Livadheve në Shkodër.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: