NGA ERJOLA JATA*
TIRANE– Kjo është pamja që të ofron sot hapësira publike në stadiumin “Dinamo” e cila deri para pak ditësh ishte zënë nga dhjetra automjete që ishin vënë ne shitje.

Vetëm pak ditë më parë kryebashkiaku Erjon Veliaj kërkoi lirimin e hapësirave në zonën e stadiumit “Dinamo”. Duket se paralajmërimi ka mjaftuar që pronarët e makinave të përdorura të nxjerra për shitje ti përvishen punës e ta lirojnë vetë sheshin, pa pritur ndërhyrjen e Policisë Bashkiake. Ata prej disa orësh i kanë larguar vetë mjetet e tyre.

Të pyetur jashtë kamerës qytetarë të cilët e kishin lënë makinën e tyre për ta shitur në këtë vend parkimi tregojnë se i paguanin pronarit te vetëshpallur të parkimit në këë hapësirë publike rreth 70 mijë lekë në muaj. Ndërkaq burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur për News 24 se nga kjo shumë që pronarët e vendparkimeve përfitonin cdo ditë, bashkia nuk merrte asnjë lek.

Ndërkaq po në këtë zonë lokalet vijojnë të zënë trotuaret me karrige dhe tavolina të cilat bllokojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të njëjta burime bëjnë të ditur për News 24 se duke nisur nga kjo fundjavë INUV së bashku me Policinë Bashkiake do të nisin aksionin e lirimit të hapësirave publike në njësinë bashkiake numër 5 aty ku ndodhen edhe lokalet më të shumta në kryeqytet.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb