Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Dibrës, Ismail Uka, nga studio e “Kjo Javë”, ka denoncuar Belinda Ballukun dhe kreun aktual të bashkisë, se po përdorin administratën në funksion të fushatës së PS, si dhe po bëjnë presion tek qytetarët.

Ai ka nxjerrë edhe disa fotot e video ku tregon se punonjës të policisë bashkiake të Dibrës vendosin posterat e Ramës në prag të mitingut që ky i fundit zhvillon.

Po ashtu ai tha se Belinda Ballu në takimin që zhvillon me qytetarët e Dibrës, shoqërohet nga makinat e policisë së komisariatit të Dibër, duke ushtruar kështu presion tek qytetarët për të votuar. Ndërkohë thotë se punonjës të administratës janë detyruar që secili të sigurojë së paku 15 vota për PS.

“Ne jemi bërë objekt i dosjes “184”, dhe eksponentë të kësaj dosjeje vazhdojnë dhe kryejnë detyrën në administratë, Drejtoria e Qendrës Balneare, ku vetëm nga kjo drejtori duhet të arkëtohen në buxhetin e shtetit mbi 1 milardë lekë, dhe sot jo vetëm që nuk arkëtohen se shkojnë në xhepat e tyre por figuron që punonjësit e kësaj drejtorie, nuk janë paguar sigurimet e punonjësve. Kjo makineri përfshinë dhe Belinda Balluku, ata janë të angazhuar me drejtoritë në varësi të saj për shkak atë interesave të veta që kanë lidhje me Skavicën, kësaj afere të madhe.

Gjithë administratës që është në varësi të Ballukut, u është dhënë lista e zgjedhësve, i kanë dërguar në orar të punës në teren dhe u japin një formular që u kërkojnë sigurim deri në 15 vota çdo punonjës. Këto i kam paraqitur tek përfaqësuesit e  OSBE/ODIHR. Kam pamje filmike ku policë bashkiakë me mjete të bashkisë vendosim postera të Ramës. Njëri është polic bashkiak, duke montuar foton e Ramës, posterin, kjo ka ndodhur para tre ditësh. Punonjësit edhe me uniformë.

Nga telefonata që pata me përfaqësuesit e ODIHR, e morën si denoncim dhe shpresoj që të sqarohet në raportin e tyre.

Dje në një takim në një fshat, Balluku nga ora 21:00 deri në 21:30, u shoqërua me polici dhe përdor shërbimet e komisariatit të Dibrës. E ftoj të heqë dorë nga këto mënyra sepse ka shërbimet e gardës për ta ruajtur, dhe nuk mund të ushtrojë presion duke u shoqëruar me makinat e policisë. Kanë vënë në lëvizje gjithë mekanizmat në funksion të tyre. Balluku nuk i përgjigjet me Dibrën, ndërkohë i them që do mbroj votën dhe çdo qytetar do votojë lirisht”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb