Ka një mëny me sugjerime se si mund ta mbushin kohën njerëzit në karantinë. Shumë prej sugjeruesve fisnikë që i hyjnë kësaj pune fusin në listë edhe leximin e librave. “Lexoni libra” është një thirrje e vyer në çdo kohë.

Dhe nuk ka si të mos jetë në një periudhë anomale si kjo e koronavirusit ku të gjithë njerëzit po marrin pjesë në luftën kundër virusit duke qëndruar në shtëpi. Nuk është e vogël si sakrificë, nëse mbajmë parasysh shprehitë dhe zakonet jetës së sotme urbane ku njeriu kalon me shumë kohë jashtë shtëpisë se brenda.

Por çdo e keqe ka një të mirë. Njerëzit e mbyllur në karantinë mund të lexojnë libra. Ata kanë rastin e artë të gjejnë apo rigjejnë brenda katër mureve shijen e një mrekullie të paprovuar për ata që nuk kanë lexuar kurrë libra dhe të braktisur për ata që kanë lexuar dikur ose vazhdojnë të lexojnë shumë rrallë për shumë arsye ku dallon gjithmonë ritmi skizofrenik i jetës së përditshme. Dhe ja, koha u dha si kurrë ndonjëherë për të gjithë. E plotë, e stërplotë, mu sikur e gjithë kjo që po ndodh të jetë kurdisur si një kompensim për kohën që i është mohuar librit, pse jo si një hakmarrje e librit për të venë në vend nderin e tij prej të braktisuri. Ec libër! Skena është për ty si asnjëherë tjetër!

Lexoni libra! Megjithese mua përsonalisht me vret veshët një thirrje kësisoj përdor numrin shumës për një gjë që në fund të fundit ka qenë dhe mbetet shumë vetjak dhe intim si nevojë dhe si pasion, do bashkohesha me zë të ulët me ata që po e bëjnë. Por ka disa pengesa sa konkrete që lidhen me vështirësitë praktike të konsiderimit të thirrjes, aq edhe disi abstrakte që lidhen më natyrën krenare të Librit.

Për ta nisur nga kjo e dyta, Libri nuk është nga ato gjera që presin t’u bejnë vend nga halli format dhe mënyrat e tjera të mbushjes së kohës së lirë, e sidomos format vanitoze-vulgare që i japin tonin argëtimit në ditët tona. Libri, për aq sa e njoh unë historinë dhe vlerën e tij, do të fyhej edhe nëse dikush e mendon si zevendësues të kësaj shkallë. Libri nuk është nga ato gjëra që mund të të mbetet në dorë apo t’i lihet tjerit në dorë si rrabat. Libri nuk pret të shfrytëzojë rastin, libri nuk kërkon lëmoshë “ ej, me shfetoni mua tani që janë mbyllur paradat e striptizës, banaqet e jargëve, platformat e tallavave, e tjerë e tjerë. Libri nuk është ky. Libri është në krye, është lokomotivë, është vagon të lumturish; “ Do të isha i lumtur të botohesha në një kopje me kusht që të me lexojë Ezra Pound”. Kjo shprehje e famshme e poetit nobelist Tomas Eliot ka një kuptim të thellë për vetë natyrën e lexueseve të librit, që kanë qenë, janë e do të jenë gjithmonë një elitë e pashqetësuar për numrin.

Kthehemi te vështirësitë konkrete të konsiderimit të thirrjes. Libra dhe biblioteka në shtëpi kanë kryesisht ata që lexojnë. (Besoj janë të rrallë ata që kanë blerë libra për butafori). Do të thotë se lexuesit kanë lexuar e lexojnë edhe kur nuk kanë qenë në karantinë. Dhe patjetër do të lexojnë më shumë në këtë periudhë. Ata lexues që kanë vijuar të blejnë libra, por e kanë patur kohën të kufizuar për shkak të punëve të përditshme, do ta fitojnë vetë këto ditë kohën e humbur. Mbetet të mendohet se thirrja për të lexuar libra u drejtohet atyre që nuk lexojnë. Mirë. Po ku ti marrin librat? Libraritë, sikurse kafenetë, restorantet dhe dyqanet e tjera, përveç ushqimoreve e farmacive, janë të mbyllura. Në këto kushte, një zgjidhje e mirë do të ishte mbajtja hapur edhe e librarive, duke e trajtuar librin si ushimin dhe ilaçet.

Nxitja e leximit është një sfidë e veçantë për një vend të vogël si Shqipëria, madje për çdo vend, përballë rreziqeve që përmban globalizmi në aspektin e gjuhës dhe traditës letrare e kulturore të vendit , të dashurisë dhe lidhjeve me “oikosin”, siç shkruan filozofi britanik, Roger Skruton, “vendi që nuk është thjesht imi dhe yti, por yni…, njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull që pajisin shtëpinë me konturin kohëgjatë dhe buzeqeshjen e vazhdueshme”.

Kjo sfidë nuk mund të përmbushet pa ngulitjen dhe respektimin në çdo vendim e ligjerim për librin të një standarti të caktuar të cilësisë. Ka shumë libra të këqinj në qarkullim. Keqkuptimit se çfarë është letërsi në vendin tonë i ka dhënë hov vërshimi i amatorizmit në rrjetet social. Koha për sqarime në rrafshin profesional të Keqkuptimit në fjalë nuk duhet të vonojë të vijë. Po deri atëherë duhet bërë kujdes me produktin e promovuar. Leximi i librave pa nivel artistik është shumë më i dëmshëm për shijet se sa mosleximi i librave të mirë. /Gazeta Liberale

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: