Gjysma e kompanive britanike që eksportojnë drejt Bashkimit Europian po vuajnë nga rregullat e reja tregtare post-Brexit, theksoi sot Dhoma Britanike e Tregtisë, që kërkon ndihmën e qeverisë.

“Studimi tregon se 49% e eksportuesve kanë pasur vështirësi të përshtaten me daljen nga tregu unik që prej 1 janarit, që ka shkaktuar komplikacione administrative”, sipas komunikatës.

Pjesa madje rritet në 51% për kompanitë prodhuese që varen nga tregtia me BE-në.

Dhoma Britanike e Tregtisë ka pyetur 1 000 kompani nga 18 deri më 31 janar, duke përfshirë 470 eksportues të mallrave dhe shërbimeve.

Bizneset veçanërisht përmendin kostot, burokracinë, vonesat dhe konfuzionin në lidhje me rregullat që duhet të ndjekin.

“Aktiviteti i biznesit dhe perspektivat e Britanisë së Madhe për një rimëkëmbje solide ekonomike, po ndikohen nga ndryshimet në kufi”, thekson Adam Marshall, drejtori menaxhues i Dhomës Britanike të Tregtisë.

Britania e Madhe dhe BE kanë arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë, e cila heq tarifat, por që nuk ofron të njëjtat avantazhe si tregu i vetëm.

Kjo marrëveshje e arritur në prag të Krishtlindjes i la kompanitë në errësirë ​​deri në momentin e fundit, gjë që i pengoi ata të përgatiteshin”, sipas Marshall.

“Për disa kompani kjo frikë është ekzistenciale”, paralajmëron ai, duke i bërë thirrje qeverisë të bëjë çfarë të mundet për të ulur mosmarrëveshjet në kufij.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb