Emisioni investigativ Vetting, News24
Në Shqipëri gjatë viteve 2021-2023 u vranë 32 gra dhe vajza, ku 27 prej tyre u vranë nga autorë me të cilët viktimat ishin në marrëdhënie familjare. Sipas raportit nga Avokati i Popullit rezulton se në rreth 90% të rasteve, viktimat e femicidit dhunoheshin nga autorët e vrasjes përpara kryerjes së krimit.
Shumë shqetësues është fakti që nga 32 gra të vrara, 6 prej tyre e kishin raportuar më parë në polici dhunën dhe dy prej tyre ishin të pajisura me Urdhër Mbrojtjeje dhe urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje në momentin e vrasjes.
“Gruaja në momentin që ka marrë urdhërin e mbrojtjes e mbrapa, ngelet pa asnjë lloj ndihme përvec asaj letre”, shprehet avokatja Rezarta Agolli.
Femicidi nuk është një term i përkufizuar apo i përdorur në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë apo në akte ligjore të tjera. Po ashtu, nuk ka dispozita të shprehura që rregullojnë vrasjet për shkak të gjinisë. “Fjalën femicid nuk e kemi akoma në fjalorin e gjuhës shqipe. Ky term fjalë për fjalë do të thotë: Vrasja e grave dhe grave nga burrat për shkak të gjinisë. Ne në kodin tonë penal nuk kemi asnjë nen që flet për këtë gjë”, tregon avokatja Agolli.
Hezitimi për marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe bllokimi i masave për rehabilitimin e viktimave janë mangësi që shkelin të drejtën për të jetuar. Këto probleme pasqyrohen edhe në raportin nga Grupi i Ekspertëve për Veprim Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO) i publikuar në shtator 2024.
Shumë prej grave që marrin guximin për të denoncuar dhunuesin në organet kompetente, e dinë që çështja nuk mbaron me burgosjen e abuzuesit sepse në shumë raste viktima është vrarë, sapo ky i fundit ka dalë nga burgu.
Sipas Esmeraldës, “vështirësitë kanë qenë të komunikimi, dhe ishte i dhunshëm, se gjërat nuk ndërtohen pa komunikim dhe kur ti ke përplasje me komunikimin aty tregohet natyra e vërtetë e njeriut. Ai ishte i dhunshëm, gjithmonë kam dashur të ndahem po prap e kam dashur si njeri”.
Katër prej grave dhe vajzave të cilat paditën abuzuesin duke u dënuar me burg nga Gjykatat janë vrarë disa ditë pasi dhunuesit kanë dalë nga burgu. Këto gra nuk u njoftuan në kohë për lirimin nga burgu të dhunuesve dhe mungesa e informacionit sjell me vete pamundësinë për t’u ruajtur apo për të kërkuar ndihmë tek familjarët apo Policia e Shtetit.
“Unë e kam ditur që në fillim që do vuaja, nuk e dija që do dhunohesha barbarisht ama psikologjikisht isha e sigurtë që me atë njeri nuk do kisha fare mbështetje për asnje lloj mendimi që do kisha për jetën”, shprehet gruja e dhunar.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mekanizmi i ngritur në nivel kombëtar për dhunën në familje nuk ka arritur t`i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme rasteve të paraqitura, çka paraqet nevojën për një vlerësim të qartë dhe objektiv të situatës nga të gjithë aktorët e përfshirë, përmirësim të proceseve ekzistuese si dhe marrjen e masave të përshtatshme, për përgjigjen në mënyrë të denjë qytetarëve në nevojë, dhe për t’i mbështetur në tejkalimin e problematikave të tyre sociale”.
Sipas gruas së dhunuar, “pavarësisht veseve apo natyrës së vështirë të një personi tjetër kam dashur që natyra ime të mbjellë kulturë, të tregojë dhembshuri pastaj të drejtën, çfarë kam unë si njëri”.
Të shohësh e të dëgjosh, qoftë edhe për së largu lajmin e kobshëm se si një familje shuhet brenda një nate për shkak të dhunës, na tregon se heshtja është përgjigje e përgjumjes së ndërgjegjjes kolektive.
Këto ngjarje na tregojnë se si tmerri dhe lemeria flenë vetëm një hap larg paaftësisë së institucioneve të rendit dhe drejtësisë, pasoja që janë fatale për gruan.
(BalkanWeb)