Shkatërrohen dy call-centre në Tiranë, ndërsa në pranga kanë përfunduar 8 persona.

Në kuadër të operacionit të koduar “World Clock” pas hekurave ranë Eni Sula, Emiljano Paja, Mario Sota, Erjon Hoxha, Alma Haruni, Saimir Brakaj, Fjoralba Hoxha dhe Erjona Murrizi.

NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet operacioni policor i koduar “World Clock”, për zbulimin e 2 call centerave, në kryeqytet, ku mashtroheshin kryesisht gjatë natës, shtetas nga disa kontinente, që të investonin në tregje fiktive. Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të një hetimi proaktiv, 6-mujor, të iniciuar në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Arrestohen 8 shtetas, bashkëpronarë dhe punëtorë në 2 subjektet call center, të cilët dyshohet se i pastronin të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve. Si rezultat i operacionit “World Clock”, u ndaluan shtetasit: Eni Sula, Emiljano Paja, Mario Sota, Erjon Hoxha, Alma Haruni, Saimir Brakaj, Fjoralba Hoxha dhe Erjona Murrizi.

Të dyja subjektet ekonomike dhe 75 punonjës të gjetur në to, të paregjistruar në organet tatimore.

Sekuestrohen 13 500 euro, një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.

Si rezultat i hetimeve të ndjekura për rreth 6 muaj, me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë, në qendër dhe në qarqet Tiranë dhe Gjirokastër, në bazë të procedimit penal nr. 471, të vitit 2023, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “World Clock”.

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit: E. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, E. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, M. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E. H., 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A. H., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, S. B., 35 vjeç, banues në Vlorë, F. H., 27 vjeçe, banuese në Tiranë dhe E. M., 26 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, të paregjistruara, në kryeqytet (me administrator shtetasin E. S. dhe me bashkëpronar shtetasin E. P.), mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, këta shtetas i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.

Nga kontrollet, në të dyja call centerat u gjetën 75 punonjës të paregjistruar, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 13 500 euro, një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.

Vijojnë hetimet intensive për të identifikuar dhe për të arrestuar shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të gjurmuar dhe për të sekuestruar asetet e përfituara në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb