“Protestat për Zvërnecin po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një simbol të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë”. Kështu shprehet deputetja e PD, Ina Zhupa, e cila, në një reagim në Ditën Botërore të Mjedisit, argumenton se protesta për Zvërnecin nuk lidhet vetëm me një çështje mjedisore, por edhe me shqetësime më të gjera për mënyrën e qeverisjes.

Sipas saj, kundërshtimi ndaj Ligjit 21/2024 ka nisur që në momentin e depozitimit të tij në Kuvend, ndërsa opozita dhe organizatat e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se ligji hap rrugën për ndërtime në zona të mbrojtura.

Zhupa kujton se kundër këtij ligji janë zhvilluar beteja parlamentare, protesta qytetare, tryeza diskutimi dhe nisma ligjore, përfshirë edhe dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike.

Deputetja thekson se protestat e fundit nuk duhen parë si një reagim i izoluar, por si shprehje e pakënaqësive të akumuluara ndër vite. Sipas saj, ashtu si në raste të tjera historike, një çështje konkrete mund të shndërrohet në simbol të revoltës ndaj problemeve më të gjera që perceptohen nga qytetarët.

Deklarata
Sot, në Ditën Botërore të Mjedisit, është detyrë e secilit prej nesh të rikthejë në vëmendje betejën e zhvilluar për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe të natyrës shqiptare. Kjo nuk është një kauzë e ditës, por një përgjegjësi ndaj vendit, trashëgimisë sonë natyrore dhe brezave që do të vijnë. Që në momentin kur u depozitua në Kuvend, Ligji 21/2024 u kundërshtua prej meje dhe Partisë Demokratike si një ligj me porosi, i hartuar për interesa të caktuara dhe jo për interesin publik. E kemi denoncuar që në ditën e parë se pas tij fshiheshin projekte konkrete ndërtimi në zona të mbrojtura. Kryeministri Edi Rama e konfirmoi publikisht atë që ne kishim paralajmëruar, duke e lidhur ligjin me projekte të veçanta që ai kishte marr angazhim personal, të cilat ne edhe sot nuk i dimë.

Përballë këtij ligji nuk kemi zhvilluar vetëm një betejë parlamentare. Kam protestuar krah për krah me shoqërinë civile, kam organizuar tryeza diskutimi në të gjithë Shqipërinë me aktivistë, ekspertë dhe qytetarë, kam ngritur zërin në çdo forum publik dhe institucional për të mbrojtur zonat e mbrojtura.

Kam kërkuar llogari edhe përmes interpelancave parlamentare. Por mazhoranca zgjodhi ta trajtojë këtë çështje me papërgjegjshmëri, duke e kaluar debatin në vetëm pak minuta gjatë një seance që tregoi mungesën e plotë të vullnetit për të dëgjuar argumentet dhe shqetësimet e qytetarëve.

I bëra thirrje Presidentit të Republikës të mos e dekretonte këtë ligj. Më pas, Partia Demokratike e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese me 37 firma deputetësh. Kam pasur nderin të jem deputetja përfaqësuese në këtë proces. Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u nda në raportin 4 me 4 dhe, për shkak të këtij barazimi, nuk arriti të shprehej për ta rrëzuar ligjin.

Megjithatë, beteja nuk ka ndalur asnjë ditë. Më 14 maj kam depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e Ligjit 21/2024, menjëherë pas rezolutës së Parlamentit Europian që shprehte nevojën për shfuqizimin e këtij ligji në Shqipëri. Kjo nismë është ndërmarrë përpara nisjes së protestave të fundit, duke dëshmuar se angazhimi ynë për këtë kauzë ka qenë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë.

Për ata që pyesin protestuesit: “Ku ishit ju më parë?”. Pikë së pari po bashkohen sot, dhe më mirë vonë se kurrë. Historia na mëson se shpesh një ngjarje konkrete bëhet simbol i pakënaqësive të grumbulluara në një shoqëri dhe zgjon reagimin qytetar. Ashtu si rasti i shitësit ambulant Mohamed Bouazizi në Tunizi u bë simbol i revoltës kundër padrejtësive që çuan në Pranverën Arabe, edhe sot mbrojtja e Zvërnecit dhe e zonave të mbrojtura po shndërrohet në simbol të rezistencës qytetare kundër arbitraritetit dhe kapjes së interesit publik.

Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj beteje është makineria e dezinformimit që është vënë në lëvizje kundër protestuesve dhe mbrojtësve të mjedisit. Në vend që t’u përgjigjen shqetësimeve legjitime të qytetarëve, eksponentë të mazhorancës kanë zgjedhur të ushqejnë një fushatë me profile të rreme, lajme të pavërteta dhe sulme të koordinuara. Taulant Balla, si drejtues politik për Diasporën dhe një nga figurat kryesore të mazhorancës, duhet të sqarojë publikisht rolin e strukturave që po përhapin dezinformim dhe po përpiqen të diskreditojnë një kauzë që ka në qendër mbrojtjen e interesit publik. Ai njihet për struktura patronazhistës në Greqi dhe nga andej fabrikojnë lajme për ti shitur këtej, duke anatemuar protestuesit shqiptar patriot. Ka pastaj edhe deputet pseudo patriot që janë edhe sarandit që sju dëgjua zëri njëherë për Butrintin, për Manastirin, për Marinën por kujtohen të sajojnë armiq imagjinar me autobusa me intelegjencë artificiale.

Pesë kërkesat e protestuesve janë edhe pesë kërkesat tona. Ato përfaqësojnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura, respektimin e ligjit, transparencën, llogaridhënien dhe vendosjen e interesit publik mbi interesat private.

Për këtë arsye i jam drejtuar edhe Delegacionit të Bashkimit Europian, duke kërkuar vëmendje dhe mbështetje për këtë çështje. Mbrojtja e zonave të mbrojtura nuk është vetëm një çështje mjedisore, por edhe një çështje e shtetit të së drejtës, e respektimit të standardeve europiane dhe e mbrojtjes së interesit publik.

Sot, në Ditën Botërore të Mjedisit, dua të shpreh mbështetjen time të plotë për qytetarët që protestojnë dhe mbrojnë natyrën shqiptare. Ata meritojnë respekt dhe mirënjohje, sepse po mbrojnë një pasuri që nuk u përket vetëm brezave të sotëm, por të gjithë shqiptarëve dhe brezave që do të vijnë.

Qëndrojmë në këtë betejë deri në shfuqizimin e plotë të Ligjit 21/2024 dhe rikthimin e mbrojtjes së plotë për zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Natyra nuk ka zë në institucione; ndaj është detyra jonë të flasim dhe të veprojmë në emër të saj. Askush nuk është kundra investimeve, kur ato janë në përputhje me natyrën, ligjin, konsultimin publik dhe transparente.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb