Imazhe të bazave ushtarake të ndërtuara gjatë regjimit komunist, bunkerëve, e nëndetësve apo bazave ajrore vijnë të dokumentuara nga një fotograf gjerman. Dikur ishin fuqia e pushtetit, sot ato janë mbetje të paranojës.

Bunkerë, avionë, nëndetëse, baza ushtarake të shpërndara në gjithë territorin e vendit që tani kanë pamjen e rrënojave. Për fotografin gjerman Alfred Diebold janë “Mbetje të paranojës”. Një ekspozitë e çelur në Cod në kuadër të tetorit gjerman i sjell të dokumentuara në fotografi ndërsa Diebold jep përshtypjet e kërkimit të tij.

Fotografi Alfred Diebold: Doja të mësoja për historinë e Shqipërisë, nuk po përkoja paranoja. Kur pashë zonat ushtarake, isha i surprizuar se si një vend i vogël, kishte aq shumë bunkerë, aeroplanë, apo tanke. Pyeta veten se pse një lideri do t’i duhej një ushtri e madhe. Përgjigja ime ishte paranoja. E gjithë kjo ishte për të mbrojtur pushtetin, shtetin dhe  për t’i bërë njerëzit të besonin te fuqia e vendit. Për ekspozitën zgjodha fotografitë më domethënëse.  Unë jam vëzhgues dhe shqiptarët mund të mësojnë historinë e tyre duke u pyetur pse qe e mundur që patët atë regjim për 45 vite.

Ambasadori gjerman Peter Zingraf në fjalën e tij u ndal te përballja e shumanshme e shoqërisë me të shkuarën.

Peter Zingraf: I gjej këto foto frymëzuese. Përballja me të shkuarën në një shoqëri të lirë e demokratike, ka nevojë për disa qasje.  Mund të ketë nevojë për prokurorë,  ose politika sociale, mund të dojë kurrikula, mund të dojë akademi të lirë, do patjetër gazetarë që hulumtojnë dhe artistë- sepse unë besoj që arti mund të japë më shumë përmasa dhe na bën të reflektojmë duke na çuar në zona të vështira.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 5 nëntor në Cod në kryeministri, si dëshmi e së shkuarës së afërme dhe e së shkuarës së pakryer, si dëshmi e paranojës dhe çimentimit të pushtetit përmes forcës, imazhit të saj të përkthyer në objekte ushtarake dhe rrënojave të patrajtuara të traumës kolektive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: